Kurti në Prishtinë prezantoi buxhetin e vitit 2023
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti në Prishtinë prezantoi buxhetin e vitit 2023

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Pas Prizrenit e Mitrovicës, kryeqyteti ka qenë në radhë për prezantimin e buxhetit 3.2 miliardësh nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri Kurti prezantoi para qytetarëve disa nga projektet dhe nismat për vitin e ardhshëm.

Siç bëhet e ditur nga kryeministria, Kurti para qytetarëve ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Republikës.

Po sipas njoftimit, buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë euro, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë euro për vitin 2023.

Ndërkohë për kryeqytetin, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë euro.

Tutje në këtë takim kreu qeveritar ka veçuar disa nga projektet më me interes për qytetarët e kësaj komune që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm në arsim, shëndetësi, siguri, kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e martë, në Komunën e Prizrenit, të mërkurën në Mitrovicë, e sot në Prishtinë, derisa do të prezantohet edhe në komuna të tjera ku qytetarëve i mundësohet bashkëbisedim me Kryeministrin dhe ministrat, dhe të njëjtit mund të japin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023.​


MË SHUME NGA Lajme