Berisha: Porti i Durrësit, akt armiqësor ndaj shqiptarëve
Shqipëri

Berisha: Porti i Durrësit, akt armiqësor ndaj shqiptarëve

ATSH

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, afera e inceneratorëve dhe e portit turistik të Durrësit janë të ngjashme dhe shkelin çdo ligj.

Sipas tij “”Porti i Durrësit” është një akt armiqësor ndaj shqiptarëve”.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po shqyrtohet projektligji për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”, Berisha tha se, “të dyja shkelin çdo ligj, çdo procedurë, çdo Kushtetutë, çdo akt ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dyja zhvillohen pa garë dhe me sipërmarrës të paracaktuar”.

“Edhe këtu kemi skenë identike. Edhe këtu kemi, 4 herë ndryshon emrin sipërmarrja që do të votoni ju”, iu drejtua ai deputetëve.

“Çfarë është kjo? Janë maska që Edi Rama vendos për të fshehur vjedhjen e tmerrshme që bën. Porti i Durrësit është një akt armiqësor ndaj shqiptarëve, sepse u zhduk portin më të leverdisshëm të kohërave që kanë pasur. U zhduk portën më jetike të hyrjes dhe daljes së mallrave nga bota dhe për botën”, theksoi Berisha.


MË SHUME NGA Shqipëri