Spiropali: Opozita kundër çdo projekti strategjik për zhvillimin e vendit
Shqipëri

Spiropali: Opozita kundër çdo projekti strategjik për zhvillimin e vendit

ATSH

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se opozita kundërshton çdo projekt strategjik për zhvillimin e vendit.

Gjatë seancës plenare ku po diskutohet prej disa orësh marrëveshja me Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”, Spiropali tha se ajo e bllokoi zhvillimin e këtij projekti që në vitin 2006, pasi kërkoi të përfitonte prej investitorit.

“Dalin kundër Skavicës, porteve, aeroporteve e projekteve të tjera të mëdha për Shqipërinë. Investitorë që kanë dashur të vijnë e të investojnë në Shqipëri janë ndeshur me këto pyetje: Kush do të marrë success fee? Ku do të shkojnë këto para? Në cilin bllok do të shënohen?”, tha ajo, duke e cilësuar këtë projekt si më i madhi e më i rëndësishmi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin.

Spiropali tha se porti turistik do t’i japë Durrësit shkëlqimin që meriton.

Duke iu referuar shqetësimeve të ngritura nga opozita për largimin e shqiptarëve me gomone, Spiropali i kujtoi opozitës vitin 1997 kur shqiptarët u larguan masivisht.
Spiropali tha se Shqipëria do të ketë portin më të madh tregtar, projektin e të cilit po e kryen një kompani e madhe holandeze.

Më tej, ajo foli dhe për protestën e paralajmëruar nga opozita më 6 dhjetor, të cilën e quajti marrëzi.

“Duket sikur është shkruar me dorën e atyre që i janë vënë Shqipërisë me bukë në trastë“, deklaroi ajo.


MË SHUME NGA Shqipëri