Raporti i EMCDDA: Shqipëria nuk është më vend burimi për tregun e BE-së
Shqipëri

Raporti i EMCDDA: Shqipëria nuk është më vend burimi për tregun e BE-së

ATSH

 Raporti i EMCDDA vlerëson se kultivimi i kanabisit në Shqipëri u reduktua në shkallë të gjerë, dhe se Shqipëria nuk është më vend burimi për tregun e BE.

“Një investim serioz në çrrënjosjen e kanabisit, ka reduktuar kultivimin në shkallë të gjerë të tij në Shqipëri”.

Kështu vlerësohet në raportin e fundit të “Qendrës Europiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat” (EMCDDA). Raporti, që është një analizë e situatës së drogave në Ballkanin Perëndimor thekson se falë përpjekjeve të autoriteteve ligjzbatuese, Shqipëria tani luan një rol më të vogël në prodhimin rajonal të kanabisit sesa në të kaluarën.

“Në mënyrë të konsiderueshme, më pak kanabis kultivohet në natyrë në Shqipëri sesa në të kaluarën, ndërkohë që në shumë vende të rajonit janë regjistruar pika të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë. Që nga viti 2016 ka pasur një rritje të investimit në çrrënjosjen e kanabisit në Shqipëri dhe kjo duket se ka reduktuar kultivimin në shkallë të gjerë të kësaj droge. Këto përpjekje për çrrënjosjen janë ndërmarrë në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane dhe kanë përfshirë vëzhgimin ajror për të lokalizuar vendet e kultivimit të kanabisit në zona më të largëta dhe të vështira për t’u aksesuar”, thotë raporti.

“Si rezultat i këtyre përpjekjeve, Shqipëria duket se tani luan një rol më të vogël në prodhimin rajonal të kanabisit sesa në të kaluarën.  Në përgjithësi, Shqipëria aktualisht nuk duket të jetë një burim i rëndësishëm i kanabisit bimor për tregun e BE-së, sa ishte para vitit 2018”, vlerëson EMCDDA.


MË SHUME NGA Shqipëri