Osmani e Haxhiu kërkojnë që të luftohet dhuna mbi baza gjinore|Video
Lajme

Osmani e Haxhiu kërkojnë që të luftohet dhuna mbi baza gjinore|Video

Valbona Thaçi / RTKlive

Sot u hap fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, organizuar për herë të parë nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo fushatë globale u bën thirrje qeverive, shoqërisë civile, organizatave të grave, rinisë, sektorit privat, mediave dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara, të bashkojnë forcat në adresimin e pandemisë globale të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Të përbashkohemi në fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri për t'i dhënë frymë lirisë dhe jetës me dinjitet, të ketë një shoqëri të emancipuar të barabartë, aty ku njeriu çmohet, e ku respektohet integriteti fizik, seksual, psikik dhe ekonomik, u tha në fillim të hapjes së kësaj fushate.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj fushate presidentja Vjosa Osmani, tha se dhuna mbi bazë gjinore po mbetet pandemia që nuk po ia shohim fundin dhe ‘si e tillë dhuna mbi baza gjinore po mbetet pandemia më e gjatë në historinë e njerëzimit’.

Osmani tha se kur flasim për luftimin e dhunës mbi baza gjinore nuk duhet të bëjmë kompromis. “...sepse dhuna mbi bazë gjinore është shkelja më flagrante e të drejtave të njeriut dhe nuk paraqet gjendje të natyrshme të shoqërisë. Si e tillë mund të parandalohet dhe duhet të luftohet”, tha ajo.

Po ashtu presidentja gjatë fjalimit ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e 63-vjeçares, e cila u vra sot në kryeqytet në mënyrë makabre nga burri i saj.

Edhe ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shprehur ngushëllimet ndaj familjes së gruas së vrarë sot në Prishtinë.

Sipas saj, dhuna në familje është e dënueshme dhe nuk guxon të tolerohet.

“Dhuna e përsëritur nuk është raportuar, dhunuesve u kemi dhënë edhe një mundësi për një tjetër viktimë. Por tani kemi hartuar strategjinë, kemi miratuar ligjin për ndihmë juridike falas. Së fundmi kemi miratuar edhe ligjin për kompensimin”, ka shtuar ajo.

Haxhiu u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë dhunën.

“Çdo grua e vajza duhet të ecë rrugëve pa frikë nga ngacmimi dhe sulmi”, tha Haxhiu.


MË SHUME NGA Lajme