Bashkia s`jep leje për protestë, Berisha: S’ka forcë të na ndalojë
Shqipëri

Bashkia s`jep leje për protestë, Berisha: S’ka forcë të na ndalojë

rtsh.al

Bashkia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e Rithemelimit për të zhvilluar protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 6 dhjetor, me argumentin se është ajo zonë është pjesë e perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti i BE-Ballkani Perëndimor.

Refuzimi i zhvillimit të protestës së opozitës para Kryeministrisë u bë jo vetëm nga Bashkia Tiranë, por edhe nga Policia e Tiranës me të njëjtin motivacion.

Në përgjigjen e saj Bashkia e Tiranës ofron sheshin Skënderbej që opozita të zhvillojë tubimin, ndërsa thotë se është në pritje të përgjigjes nëse Rithemelimi është dakord për vendin, që të lëshojë lejen e zhvillimit të protestës.

“Në përgjigje të kërkesës suaj protokolluar pranë Bashkisë Tiranë me nr. prot. 41516, dt. 23.11.2022, nëpërmjet së cilës kërkoni leje për vendosjen e një foltoreje në kuadrin e organizimit të një tubimi protestë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga ora 12:00 deri në orën 16:00, si dhe bazuar në shkresën e bërë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me nr. E-431prot., dt. 24.11.2022, ku shprehet ndalimi organizimit të këtij tubimi për shkak se bie në kundërshtim me perimetrin e sigurisë të cituar në shkresën përkatëse, ju bëjmë me dije se kërkesa juaj nuk mund të miratohet.

Bashkia Tiranë, si njësi e vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës do organizohet samiti Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është e angazhuar me organizimin e këtij Samiti, sipas fushës së funksioneve që ajo mbulon.

Për sa më sipër, Bashkia Tiranë e ka të pamundur t'iu pajisë me një leje për zënien e hapësirës publike për zhvillimin e tubimit që ju kërkoni të zhvilloni në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Duke qenë se për shkak të zhvillimit të samitit të Bashkimit Evropian në qytetin e Tiranës, pjesa më e madhe e rrugëve në qytet do jenë në funksion të mbarëvajtjes së këtij samiti, duke mos cenuar të drejtën tuaj për tubime, ju propozojmë zhvillimin e tij pranë Sheshit Skënderbej.

Për sa me sipër, nëse jeni dakord me këtë propozim, na bëni sa me shpejt me dije, që Bashkia Tiranë të vijoj me lëshimin e lejes përkatëse për zhvillimin e këtij tubimi”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë.

Lidhur me këtë përgjigje Sali Berisha tha se nuk kishte forcë në botë që do ta ndalonte këtë organizim duke thënë se protesta do të mbahej para Kryeministrisë dhe kërkoi që Bashkia e Tiranës të mos përzihej.

“6 dhjetori protesta më e madhe do mbahet para Kryeministrisë, bashkia të mos përzihet se s’ka forcë në botë që mund të pengojë. Ramës i intereson dhuna atë ditë por bën mirë që as dyert të mos i blindojë se do bëjë lajm botëror. Jemi në protestë pro samitit dhe kundër Ramës”, tha Berisha.

Më herët edhe Policia e Tiranës ndaloi opozitën të zhvillojë protestën në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për shkak të samitit BE-Ballkani Perëndimor që do mbahet në Tiranë pasi ishte pjesë e perimetrit të sigurisë.

Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, ditën kur liderët e Europës do të zbresin në Tiranë për samitin që do të zhvillohet mes BE dhe rajonit të Ballkanit.


MË SHUME NGA Shqipëri