110-vjetori i Pavarësisë, Ministria e Mbrojtjes organizon javën festive
Shqipëri

110-vjetori i Pavarësisë, Ministria e Mbrojtjes organizon javën festive

ATSH

110-vjetori i Pavarësisë, që përkon njëherësh edhe me 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të kremtohet me një seri aktivitetesh në Tiranë dhe në disa rrethe të ndryshme të vendit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë javën festive, me vente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë me koncertin madhështo “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, në datën 3 dhjetor 2022, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve.

Në këtë tur do të performojnë mbi 300 artistë nga Orkestra Sinfonike e FA, Kori i FA, Banda e Ushtrisë shqiptare dhe Bandat e ushtrive të Kosovës dhe vendeve të NATO nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.

Kjo është hera e parë që një event i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri.

Të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.

Ndërkaq me rastin e Festës së Pavarësisë, më 28  Nëntor, në ceremoninë e Flamurit në Vlorë që do të zhvillohet në orën 10:00, banda e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Britanisë, SHBA-së, Kosovës dhe Greqisë do të performojnë në sheshin e Flamurit, dhe më pas në orën 11:00 do të zhvillohet një koncert në Pedonale, përballë Muzeut Historik të qytetit të Vlorës.

Po në 28 Nëntor, në orën 11:40 bandat e ushtrive të Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe Britanisë së Madhe do të performojnë në marsh në Lungomare.

Me rastin e 78-vjetorit të Çlirimit të vendit, formacioni i përbashkët i bandave të ushtrive të Shqipërisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe do të performojnë së bashku, në orën 18:30 te Pazari i Vjetër i Korçës.

Ndërsa po në datën 29 Nëntor, në orën 17:00, banda e Greqisë do të jetë në një koncert në sheshin para bashkisë së Durrësit.

Në vijim të festimeve të përbashkëta për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë vendosur që veç stërvitjeve të përbashkëta ta shtrijnë bashkëpunimin edhe në art dhe futboll. Kështu më 30 nëntor, në orën 10:00 banda e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të performojnë në një koncert, ndërkohë që do të luhet edhe ndeshja e futbollit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Kukës Arena.

Më 1 dhjetor, në pika të ndryshme të Kryeqytetit do të organizohen performanca të ndryshme, të bandave ushtarake të Sllovenisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Britanisë së Madhe, Greqisë, Kosovës, SHBA-së, Francës dhe Shqipërisë.

Në datën 2 dhjetor në orën 17:00 do të organizohet koncerti marsh te Galeria e Arteve deri te Pallati i Kongreseve.

Festimet e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 110-vjetorit të krijimit të FA të Shqipërisë do të mbyllen me koncertin gala.


MË SHUME NGA Shqipëri