Qindra qytetarë vizituan Kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë|Video
Visar Shatrolli/ RTK
Në kazermën ushtarake "Adem Jashari" nuk ishin vetëm politikanët. Aty shkuan edhe qytetarët bashkë me fëmijë për të parë nga afër ushtarët e ushtrisë më të re në botë, Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përshtypjet e tyre ishin nga më të ndryshmet, duke vlerësuar lart përgatitjen e kësaj ushtrie.
Shumë qytetarë nga i tërë vendi të shtunën kishin një destinacion, kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Në “Ditën e Hapur” të Forcës së Sigurisë së Kosovës ata panë disa prej reparteve ushtarake të vendosura në hapësirat e kësaj kazerme.
Madje një ndjenjë më ndryshe është kur t'i kesh djemtë ushtarë.
" Djalin e kam oficer, e ka kryer akademinë ushtarake. Djali më i vogël edhe ai po e kryen akademinë ushtarake në Zagreb", thotë Vajdin Oruqi nga Rahoveci.
Dëshira e gjithsecilit është që të vijnë këtu.
Emocionet, pavarësisht sa herë i viziton ushtarët, janë si për herë të parë.
" Vështirë t’i përshkruash këto momente.Është një ditë shumë e gëzuar.FSK është një nga ushtritë më të reja në botë dhe me punën dhe kapacitetet e saj po arrin suksese“, thotë Ali Zogiani nga Fushë Kosova.
Të tjerë vizitorë vërejnë përparim në ushtri për dallim nga vitet e mëparshme.
" Kanë arritur shumë nga sa pashë. Kanë siguruar mjete si autoblinda, për momentin është mirë me këto kapacitete që i kemi”, tha Besim Beqiri nga Mitrovica.
Edhe në të gjitha kazermat e tjera të FSK-së, në Kosovë, në këtë ditë festive, qytetarët kanë pasur mundësi t`i shohin aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.