Nikolla: Shqipëria e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian
ATSH
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përcjell mesazhin e urimit për 110-vjetorin e Pavarësisë.
Nikolla shprehet se sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian dhe qëndron denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE.
“Sot, 28 Nëntor, 110 vjet Shqipëri e pavarur!Shqipërinë e pavarur e themeluan patriotët shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali. Formimi i shtetit shqiptar ishte rezultat i luftrave të popullit shqiptar për t’u shkëputur nga perandoria osmane”, shprehet ajo.
Kryeparlamentarja nënvizon se ishin këto luftra e këto përpjekje që, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, mundësuan njohjen, përcaktuan statusin politik, kuadrin juridik dhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së pavarur.
Sipas saj, historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe një shkollë atdhedashurie, përkushtimi e kontributesh për t’i shërbyer kombit, në misionin dhe qëllimet që shtron koha.
“Më 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes!”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.