Peleshi: Me këtë Flamur, sot në NATO e nesër në BE
ATSH
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë duke u shprehur se “dita e flamurit këtë vit ka më shumë emocion, më shumë vlerë”.
Peleshi shprehet në një postim në rrjetet sociale se ky 110 vjetor i pavarësisë na përbashkon më fort.
Ai thekson se liria dhe paqja për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin, është bërë më e shtrenjtë.
“Agresioni rus ka tronditur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat duke e sjellë sigurinë në qendër të vëmendjes shoqërore. Simboli i vetëdijes kombëtare është Flamuri kombëtar. Ai është ylli orientues i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë me dinjitet e identitet kombëtar”, nënvizon ministri.
Me këtë Flamur, sot në NATO e nesër në BE, deklaron Peleshi, ne do të prezantojmë Shqipërinë moderne.
Ai shton se ky flamur do të ngrihet në çdo arritje ndërkombëtare, në kulturë, art, sport, shkencë e teknologji.
Ministri nënvizon se “forca e këtij Flamuri e bëri Luiza Gegën të vraponte më shpejt e të dilte e para në Europë e duhet të na bëjë edhe ne të kapërcejmë mbi kohën e të dalim në krye”.