Kurti: Lufta kundër dhunës mbi baza gjinore, prioritet i qeverisë
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Lufta kundër dhunës mbi baza gjinore, prioritet i qeverisë

M.Shefkiu/RTKlive

Qeveria e Kosovës ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore. Kështu ka deklaruar në Pejë, kryeministri Albin Kurti në hapjen e tryezës së organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ai tha se gratë dhe vajzat janë shpesh të ekspozuara ndaj dhunës, përfshirë dhunës në familje, ngacmimit seksual, dhunimit, martesës së detyruar, andaj edhe në luftimin e parandalimin e këtyre dukurive, sipas kryeministrit, nevojitet ndërhyrja e koordinuar institucionale.

Në kuadër të fushatës globale "16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, Kurti foli edhe për nismat dhe ndryshimet ligjore nga ana e Qeverisë për sigurinë dhe mbrojtjen e viktimave.

“Kemi krijuar mekanizma që ndjekin krimin dhe llogarisim në sistemin gjyqësor të pavarur e efikas që të bëjë detyrën e tij. Përmes aktivizmit shoqëror ne e kemi obligim të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore”, u shpreh kryeministri Kurti, derisa e bëri të qartë se si shtet, përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje, duhet të dërgojmë mesazhin që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme.

“Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës mbi baza gjinore, atë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si një nga 5 objektivat strategjike, ndër të cilat është edhe harmonizimi i legjislacionit vendor me Konventën e Stambollit”, theksoi Kryeministri.

“Nuk mund të lejojmë që të përsëriten rastet e dhunës që na tronditin të gjithëve si shoqëri dhe kanë pasoja prej fëmijëve deri te pleqtë. Si qytetarë të mos lejohet as edhe një viktimë më shumë në betejën tonë kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. As edhe një më shumë’’, deklaroi kryeministri Kurti në fund të fjalimit.