Prokuroria lëshon urdhër-arreste për 5 punonjës IT të DAP
BKT
Shqipëri

Prokuroria lëshon urdhër-arreste për 5 punonjës IT të DAP

RTSH

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 5 urdhër-arreste për punonjësi IT pranë Departamentit të Administratës Publike pas hetimeve lidhur me sulmin kibernetik të Iranit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka kërkuar “arrest shtëpie” për pesë punonjës IT të cilët akuzohen për  shpërdorim detyre.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se stafi i IT duhej të kishte vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit

“Sulmi kibernetik në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria kërkon ‘Arrest shtëpie’ për pesë punonjës IT. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al. Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

A.I. - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

A.S. - Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

R.Ll. - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

I.L. - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

A.Gj. - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Gjatë muajit korrik shërbimet publike online të AKSHI-t u ndërprenë pas një sulmi kibernetike, më i madhi që Shqipëria kishte përjetuar ndonjëherë. U deshën disa javë për rikthimin e shërbimeve në punë, ndërsa qeveria garantoi se të gjitha të dhënat e qytetarëve ishin ruajtur dhe nuk ishin cenuar.

Shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi “Homeland Justice” pro-iranianë. Hackerat kishin si qëllim të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian të muxhahedinëve në Shqipëri, të cilët do të zhvillonin një konferencë më 23 dhe 24 korrik, por që u anulua për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste. Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë. Pas sulmit kibernetik Shqipëria ngriu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.


MË SHUME NGA Shqipëri