Bislimi: Hap i rëndësishëm u bë sot drejt heqjes së vizave
BKT
Lajme

Bislimi: Hap i rëndësishëm u bë sot drejt heqjes së vizave

J.Musliu/RTKlive

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që ky proces të kalojë drejt fazave të rradhës, deri në vendimin final.

“Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit”, deklaroi Bislimi.

“Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.

Ai deklaroi se pas shumë viteve ngecje e pritje të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e rradhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

“Pressim që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final”.

Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh të jetë falendërues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.


MË SHUME NGA Lajme