Osmani i kërkon përkrahje kryeparlamentarit bullgar për anëtarësim në KiE
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Osmani i kërkon përkrahje kryeparlamentarit bullgar për anëtarësim në KiE

E.Hoti/RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë, Vezhdi Rashidov, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen ndaj Kosovës, duke kërkuar që ajo të vazhdojë edhe më tej me këtë përkrahje për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Përmes një komunikate për media nga zyra e presidentes bëhet e ditur se Osmani ka kërkuar mbështetjen bullgare edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja  Osmani  ka theksuar se është i rëndësishëm bashkëpunimi në sferën e diplomacisë parlamentare dhe ai ndërparlamentar.

“Një pjesë e takimit iu kushtua situatës aktuale në Kosovë e më gjerë. Presidentja Osmani ka theksuar se është e rëndësishme që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë ka ritheksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces, kundrejt Serbisë, e cila duke përdorur strukturat ilegale në veri po përpiqet ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftim.

 “Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se e vlerëson harmonizimin e plotë të Bullgarisë me qëndrimet e NATO-së dhe BE-së për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e mbështetjes ushtarake. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dënuar pa mëdyshje sulmin e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është në linjë me BE-në dhe SHBA-në sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë”, thuhet tutje në njoftim.

 


MË SHUME NGA Lajme