Lajm i rëndë: Vritet shtatzëna 35-vjeçare në Prishtinë|Video
E. Hoti/RTKlive
Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në mbrëmje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
Burime të RTK-së nga kjo klinikë kanë bërë të ditur se një person ka qëlluar me armë zjarri mbi gruan e tij para kësaj klinike. Viktima ishte shtatzënë dhe ishte në pritje të lindjes së foshnjës. Sipas burimeve brenda kësaj klinike ata të dy ishin në prag të divorcit, teksa ka kohë që viktima ishte duke jetuar në shtëpinë e babait të saj për shkak të dhunës së bashkëshortit.
Gjithnjë sipas burimeve, viktima ka qenë e shoqëruar nga një grua tjetër në oborrin e klinikës, kur dorasi e ka qëlluar me plumb në kokë. Pasi viktima ka rënë në tokë, dorasi ka shkrepur mbi trupin e saj edhe disa plumba tjerë, teksa nuk ka mbijetuar as foshnja e saj.
Ndërkohë, Policia e Kosovës e ka konfirmuar për RTKlive këtë rast të rëndë.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka theksuar Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit i ka nisur hetimet dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë ngjarje.
Ky rast tronditës vjen vetëm pesë ditë pasi një burrë 70-vjeçar qëlloi me sëpatë për vdekje gruan e tij 63-vjeçare në shtëpinë e tyre në Prishtinë.























