Nenad Rashiq emërohet ministër për Kthim dhe Komunitete
BKT
Foto: Zyra për Media e Kryeministrit të Kosovës
Lajme

Nenad Rashiq emërohet ministër për Kthim dhe Komunitete

Jeton Musliu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar ministrin e ri në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.

Ai është Nenad Rashiq, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike Progresive, forcë politike kjo që në zgjedhjet  e fundit parlamentare, nuk është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, në zgjedhjet e fundit parlamentare,  Rashiq së bashku me Rada Trajkoviqin, formuan Iniciativën Qytetare, me të cilën fituan një deputet në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, javë më parë, deputeti Cvetko Veljkoviq nga kjo Iniciativë, deklaroi se do të veprojë si deputet i pavarur.

Emërimin në postin e ministrit,  Rashiq e konfirmoi në një deklarim për RTKlive. Më vonë, këtë e konfirmoi edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

“Kryeministri Kurti e uroi z. Rashiq për detyrën dhe përgjegjësitë e reja institucionale në Republikën e Kosovës”, shkruan në njoftim.

Rashiq në këtë post, pason Goran Rakiqin nga Lista Serbe, parti kjo e cila nën dirigjimin e Beogradit zyrtar dhe direkt të presidentit Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dorëheqje.

Një akt të tillë e kanë bërë edhe deputetët e kësaj  partie si dhe pjesëtarë të policisë e drejtësisë në katër komunat në veri të Kosovës, duke kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Në anën tjetër, Nenad Rashiq,  nuk është i panjohur për postet qeveritare që ka mbajtur edhe më parë.

Para tre vjetësh, kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar këshilltar politik në qeverinë “Kurti 1”. Gjithashtu, në qeverinë "Thaçi 1"  dhe "Thaçi 2", ishte ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitet 2008-2014.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, pakica serbe e ka të garantuar së paku një post ministror. 


MË SHUME NGA Lajme