Steinmeier në Tiranë, pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj
ATSH
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u prit sot me ceremoni zyrtare në Tiranë nga presidenti Bajram Begaj. Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Republikën e Shqipërisë, në 27 vite.
Presidenti Federal Steinmeier u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga zëvendëskryeministrja Balluku dhe ambasadori Zingraf.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vizita përbën një sinjal të mëtejshëm të mbështetjes nga ana e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit tonë.
Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes në institucionin e Presidentit të Republikës, dy Presidentët Begaj dhe Steinmeier do të dalin në një konferencë të përbashkët për medie.
Gjatë vizitës në Tiranë, Steinmeier do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe gjithashtu do të mbajë një fjalim në Kuvend, në orën 11:30.
Në Tiranë është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një diskutim se si të përballemi me të kaluarën komuniste dhe një bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Berat, Presidenti Federal do të njihet me projekte zhvillimore bashkëpunimi shqiptaro-gjermane.
Është hera e parë që presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017. Për dy mandatet si ministër i Jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij.























