PDK: Vrasja e mbrëmshme dështim i shtetit, në interpelancë kryeministri
BKT
Foto: Fatos Cërvadiku/ RTK
Lajme

PDK: Vrasja e mbrëmshme dështim i shtetit, në interpelancë kryeministri

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Vrasja e gruas shtatëzënë, Hamide Magashi në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga ish-bashkëshorti i saj, ka shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës që me urgjencë të deponojë kërkesën për interpelancë me kryeminsitrin Albin Kurti dhe ministrat, për të kërkuar përgjegjësi institucionale.

Të tronditur me rastin, deputetja e PDK-së tha se nuk kanë mundur të qëndrojnë duarkryq e indiferent, prandaj tha se duan që ta kenë në interpelancë para deputetëve shefin qeveritar bashkë me vartësit e tij.

“Edhe më tronditëse bëhet gjendja kur brenda pak ditësh i kemi dy viktima të vrasjeve të tmerrshme nga bashkëshortët e tyre”, tha ajo, derisa shtoi se ky duhet të jetë alarmi i fundit për shtetin dhe shoqërinë.

“Prandaj, PDK-ja në mënyrë urgjente, sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet e veprimet e tyre, po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë e vajzat e këtij vendi”, tha Deliu-Kodra në një konferencë për media.

Deputetja e PDK-së tha se vrasja e mbrëmshme është dështim i shtetit.

 “Pra, rasti i djeshëm i vrasjes së Hamide Magashit nga bashkëshorti ishte krim makabër dhe dështim i shtetit, ku në duart e tij humbi jetën brenda  Qendrës Klinike Universitare, një grua e cila po priste të sillte në jetë fëmijën e saj. Ajo, edhe pse kishte urdhër mbrojtje nga Gjykata, institucionet e sigurisë dështuan t’i ofrojnë mbrojtje dhe siguri për jetën e saj”, tha deputetja e PDK-së.

Deliu-Kodra tha se përgjegjësia është institucionale dhe nuk mjaftojnë vetëm fjalët në rrjete sociale.

“Bartësit e përgjegjësisë duhet të dalin para drejtësisë e të mos flasim në vazhdimësi për viktima”, tha ajo.

Ndërkohë, deputeti Rashit Qalaj tha se janë skajshmërisht të shqetësuar me mosefikasitetin, sipas tij të institucioneve të sigurisë në këtë rast të Policisë së Kosovës.

“Viktima është dashur të mbrohet nga institucionet meqë ka pasur një urdhër mbrojtje nga Gjykata kompetente. PDK-ja tërë kohën po bënë thirrje që të forcohen  institucionet e sigurisë dhe drejtësisë e të bëjnë të pamundurën që ato të jenë më efikase nga kapaciteti operacional”, tha ai, duke shtuar se “kjo bëhet kur Policisë së Kosovës nuk i ndërhyhet në aspektin operacional, ku institucionet e shtetit nuk udhëhiqen nga ushtrues detyre, ku drejtuesve të këtyre institucioneve dhe punëtorëve të tyre nuk u zvogëlohen pagat”.

Qalaj tha se ende nuk ka një përgjigje se pse po zvarritet emërimi i Drejtorit të Policisë e pse kaq shumë institucione janë me ushtrues detyre, sikurse Ministria e Shëndetësisë, e shumë spitale brenda QKUK-së.

“Pse Qeveria e vendit, pse MPB-ja, pse Ministria e Mbrojtjes nuk japin përgjigje, pse policët e ushtarët i lëshojnë këto institucione çdo ditë e ikin nga vendi. Pse e kemi këtë situatë të rëndë ekonomike dhe nuk ka ndonjë veprim konkret nga Qeveria e vendit”, tha ai.

Qalaj ka përsëritur kërkesën e PDK-së që policia të ketë Ligjin për Pensionimin e Parakohshëm, derisa u bëri thirrje institucioneve për më shumë efikasitet sidomos në rastet kur e dijnë që qytetarët kanë nevojë për ndihmë e kanë vendim të gjyqësorit.

“E kanë obligim të jenë në kontakt të vazhdueshëm me viktimat e rastit në mënyrë që të evitohen raste të tilla tragjike si ai i mbrëmshmi. Ne, edhe mund ta kuptojmë se ndodnjë rast mund të ndodhë në afekt dhe policët nuk mund të jenë aty për shkak se nuk ka polic për çdo banor, por nuk mund ta kuptojmë kur kemi procese gjyqësore e vendime gjyqësore e qytetarët nuk e kanë mbrojtjen e duhur”, përfudoi ai.


MË SHUME NGA Lajme