Shqipëri, 11 humbje jete këtë vit nga HIV AIDS, dhe 80 të infektuar rishtas
Shqipëri

Shqipëri, 11 humbje jete këtë vit nga HIV AIDS, dhe 80 të infektuar rishtas

VOA

Në Shqipëri, këtë vit janë zbuluar rishtas 80 persona me HIV-AIDS, mes të cilëve edhe dy fëmijë, ndërsa kanë ndodhur 11 vdekje.

Për veprimtarët e të drejtave të njeriut dhe punonjësit e mjekësisë, shqetësim kryesor mbetet diagnostikimi në faza të përparuara të sëmundjes, si dhe testimi sa më i gjerë i popullatës.

Këto 10 muaj të fundit janë zbuluar në Shqipëri 80 raste të reja me HIV/AIDS, nga të cilët 61 meshkuj dhe 19 femra, shumica për shkak të marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.

Mosha mesatare e të prekurve nga HIV është rritur në 39 vjeç e gjysmë, ndryshe nga vitet e tjera, kur të prekurit kanë qenë të rinj.

Drejtuesja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV, Olimbi Hoxha, thotë se kështu vazhdon i njëjti ritëm përhapje, dhe problem më i madh vazhdon të mbetet diagnostikimi i vonuar i HIV, për shkak të niveleve shumë të ultë të testimit edhe në grupet e rrezikuara edhe në popullatën e përgjithshme.

“Sivjet kemi dy raste infektimesh tek fëmijët; njëri me transmetim vertikal, ndërsa tjetri ende nuk është verifikuar burimi i infektimit. Kemi 11 humbje jete për fat të keq, 5 nga të cilat janë raste të diagnostikuar rishtas këtë vit”, thotë zonja Hoxha.

Këtë vit është arritur trefishimi i testeve për HIV nga nënat e reja gjatë shtatzanisë, por ende ka shumë punë për t’u bërë në shumëfishimin e testeve në të gjithë grupmoshat, pohojnë ekspertët, dhe sidomos për parandalimin e infeksionit, ndërkohë që një pjesë e madhe e rasteve të reja zbulohen në faza shumë të përparuara të sëmundjes.

Komisioneri kundër diskriminimit, Robert Gajda, thotë se personat me HIV AIDS ende janë peng i stigmatizimit dhe steriotipeve nga shoqëria dhe nga organet publike, kryesisht për shkak të injorancës dhe mosinformimit të saktë, por ndërkohë, gjatë procesit të rivlerësimit të gjendjes së personave me aftësi të kufizuara po vërehen përjashtime edhe të personave që jetojnë me HIV nga marrja e pagesave për këto grupe, të njohura si kemp.

“Shohim me shqetësim se persona që jetojnë me HIV po përjashtohen nga përfitimet e kempit. Por nëse i përjashton nga kempi, shteti duhet t’u sigurojë trajtimin e duhur këtyre personave. Ndërsa shohim një zell të tepruar për të përjashtuar persona nga përfitimi I kempit, por nuk shohim zell po aq të madh për të garantuar shërbimet e nevojshme për këta persona”, thotë zoti Gajda.

Përjashtimet nga pagesat e kempit i vërtetojnë me të paktën 12 raste edhe në shoqatën e personave që jetojnë me HIV.

Zonja Hoxha thotë se me vendosjen e sistemit të ri të vlerësimit bio-psikosocial, është një kategori që është prekur nga kjo e reformë, por ato janë duke punuar që vlerësimet të kthehen në gjendjen e mëparshme, sepse paftësia e tyre është bazuar në të dhënat klinike.

Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër AIDS-it në spitalin Infektiv u hap sot klinika ambulatore e rikonstruktuar, ku ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli për një testim me bazë të gjerë në institucionet shëndetësore për ta mbajtur HIV nën kontroll.

“Për vitin 2022 janë kryer mbi 50 mijë testime ose 16 % më shumë se viti 2021, sidomos është rritur numri i testimeve përsa i përket grave shtatëzëna. Pra nga 1,600 gra që testoheshin në vitet e shkuara, vetëm për vitin 2022 janë mbi 5,000 të cilat janë testuar për HIV/AIDS”, tha zonja Manastirliu.

Në SHqipëri shteti siguron mjekimin falas për të gjithë personat që jetojnë me HIV. Aktualisht 792 persona marrin mjekim me ilaçe anti-HIV, nga të cilët 780 janë të rritur në moshë dhe 12 janë fëmijë.

Sipas të dhënave të shoqatës, një pjesë e të prekurve kanë emigruar në kërkim të një mjekimi me skema më të plota. Nga fillimi i viteve Shqipëria 90 regjistron gjithsej 1586 persona të prekur nga HIV.


MË SHUME NGA Shqipëri