Pezullohet vendimi i Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Pezullohet vendimi i Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë

V.Thaçi /RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar masën e përkohshme të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjykatësit dhe prokurorët.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku sqarohet se shtyhet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë.

“Gjykata Themelore  në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative,  me datën 29.11.2022,  ka pranuar  padinë me nr. 2767/2022  ku   Paditëse është  Shoqata  e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur  është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin  e vendimit  me numër  03/109  i datës 23.11.2022,  i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi  i vendimit  të të njëjtit, deri  në përfundimin  meritor  të  kësaj çështje  në  konfliktin administrativ”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Sipas njoftimit, gjykata ka marrë aktvendim me të cilin  ka aprovuar propozimin e paditëses–propozueses, Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 të datës 23.11.2022, të të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.

Në aktvendim thuhet se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese.


MË SHUME NGA Lajme