Policia jep detaje nga vetëvrasja e të dyshuarit për vrasjen e shtatzënës
BKT
Lajme

Policia jep detaje nga vetëvrasja e të dyshuarit për vrasjen e shtatzënës

B. H. / RTKlive

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vetëvrasjen e të dyshuarit, Sokol Halili, për vrasjen e rëndë të ndodhur të mërkurën në mbrëmje në afërsi të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.  

“Policia e Kosovës me njësitet e saj hetimore dhe operative, në koordinim me Prokurorinë e shtetit, ka punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e personit të dyshuar. Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 2 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit njësitet relevante kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.

“Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armë zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes. Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Vetëvritet i dyshuari për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçe

S. H. i dyshuar për vrasjen e gruas së tij 35-vjeçare H.M. ka kryer vetëvrasje. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit.

Shtatzëna është vrarë të mërkurën në mbrëmje para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, teksa kishte dalë për të blerë ushqim. Viktima ishte në javën e 41 të shtatzënisë, teksa është vrarë me armë zjarri nga i dyshuari, i cili ishte bashkëshorti i saj, por që muaj më parë kishin filluar procesin e divorcit.

Kjo vrasje ka tronditur opinionin dhe ka shkaktuar reagime të shumta, derisa dje është mbajtur  protestë në kryeqytet, ku është kërkuar që dhuna dhe vrasjet ndaj grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Ndërkohë, sot në mesditë në fshatin Lugaxhi të Lipjanit, në prani të familjarëve dhe qytetarëve të shumtë është varrosur gruaja shtatzënë, H. M. 


MË SHUME NGA Lajme