Pas vendimit të gjykatës reagon Kurti: Për veten janë shumë efikas
M.Shefkiu/RTKlive
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pezulloi vendimin e Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, ka reaguar kryeministri Albin Kurti. Ai tha se kur është në pyetje gjyqësori për pagat e veta, është shumë efikas për dallim prej lëndëve të shumta që presin për zgjidhje.
“Nuk mund të merremi me vendimet të cilat i bënë gjyqësori...por, është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po dëshmojë atëherë kur kanë interes vetë, interes të ngushtë“, theksoi Kurti pas një vizitës në Hendikos. Kryeministri po ashtu komentoi edhe vendimin për uljen e pagave, sipas të cilit “kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi”.
Kryeministri Kurti përmendi dy ligjet që priten të miratohen së shpejti, ligji mbi Pagat dhe Zyrtarët Publik i cili pritet t’i rregullojë pagat në Kosovë. Ndërsa komentoi edhe grevën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konsideruar si e padrejtë.
Ndryshe, reagimi i Kurtit vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pezulloi vendimin e Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë. Në njoftimin e kësaj gjykate, thuhet se “shtyhet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë, i datës 23 nëntor, derisa ky organ të marr vendim përfundimtar gjyqësor për këtë çështje”.
Më 29 nëntor, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kishte paditur Qeverinë e Kosovës, dhe përveç kërkesës së anulimit të këtij vendimi, aty kërkohej dhe caktimi i masës së përkohshme deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
E në ditën kur Qeveria e mori këtë vendim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), vendosi që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.