Kurti takon parlamentarin nga Mbretëria e Bashkuar
Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti takon parlamentarin nga Mbretëria e Bashkuar

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri, Albin Kurti ka pritur sot deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.

Bashkë, në zyrën kryeministrore diskutuan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, energjisë, mbrojtjes dhe kulturës. Siç bëhet e ditur, vëmendje e veçantë iu dha sektorit të energjisë dhe investimeve të huaja, derisa kreu qeveritar e ka njoftuar të dërguarin për Tregti të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor me planet e qeverisë për sektorin e energjisë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Vicerks për veprimet e Qeverisë dhe planet për sektorin e energjisë, me fokus burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike”.

Kryeministri gjithashtu e ka njoftuar deputetin e Mbretërisë së Bashkuar me potencialin që ka Kosova për investitorë të huaj. “Diaspora jonë mund të shërbejë si urë lidhëse për investitorë britanikë”, citohet t’i ketë thënë Kurti, parlamentarit britanik.

Ndërkohë, deputeti Vicker siç bëhet e ditur, u shpreh se do të inkurajojë kompanitë britanike që të hulumtojnë mundësitë në Kosovë. “Ai po ashtu e vlerësoi pozitive faktin që nga tash e tutje agjencia qeveritare, UK Exports Finance është e disponueshme edhe për Kosovën, që sipas deputetit Vicker, do të tërheqë edhe më shumë kompani nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, deputeti Vicker ishte i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicolas Abbott.


MË SHUME NGA Lajme