Presidentja Osmani e indinjuar, në takim nuk i shkon KGJK e KPK
Foto: Ahmet Maholli/RTK
Lajme

Presidentja Osmani e indinjuar, në takim nuk i shkon KGJK e KPK

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Si bojkot ndaj shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar mospjesëmarrjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Takimin e këtij Këshilli e ka thirrur vetë e para e shtetit dhe atë me urgjencë, pas rasteve të fundit kur disa gra janë vrarë në Kosovë, në rrethana të ndryshme e për motive të ndryshme, nga bashkëshortët apo ish bashkëshortët e tyre.

Në fakt, siç deklaroi presidentja Osmani, KGJK-ja e KPK-ja, e kishin konfirmuar fillimisht pjesëmarrjen në këtë takim, por kur i njëjti ka nisur, askush nga këto dy institucione nuk ka marrë pjesë.

Në këtë situatë, ajo shpjegoi edhe arsyen përse nuk e ka thirrur edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas rasteve të fundit.

“Arsyeja e vetme pse nuk e kam thirr ka qenë se në atë takim nuk mund të marrin pjesë përfaqësuesit e drejtësisë. Vetëm pasi kam konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, e kam ftuar këtë Këshill”, deklaroi presidentja e shtetit.

Ajo rikujtoi se edhe pse pjesëmarrjen e kishin konfirmuar, të njëjtit nuk kanë shkuar në takim.

“E konsideroj se kjo është bojkot ndaj shtetit dhe betimit që kanë dhënë”, tha presidentja.

Në këtë rast, ajo tërhoqi edhe një paralele. Ajo përmendi se edhe Lista Serbe bojkoton vendin dhe institucionet,  por sipas saj, ata nuk duhet të merren si shembull.

Duke e konsideruar jashtëzakonisht shqetësuese fenomenin e vrasjes së grave në Kosovë, edhe takimin e së premtes së Këshillit, Osmani e cilësoi si takim të jashtëzakonshëm.

“Kërkoj nga të gjithë që ta shfrytëzojnë këtë platformë jo vetëm për t’u takuar, por edhe për të shtruar pyetjet më të vështira që t’u japim përgjigje”, tha ajo.

“Duhet përfundimisht ta bëjmë të qartë që jeta e vajzave e grave është po aq e vlefshme sa jeta e djemve dhe burrave”.

Në takimin e thirrur me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, presidentja Osmani ka ka deklaruar se janë disa raste të vrasjes së grave që mund të parandaloheshin siç është ai i  Diana Kastratit, Sabile Mavroqanit, Valbona e Klara Ndrecaj, e po ashtu edhe rasti i fundit i Hamide Magashit.

Sipas saj, rastet e dhunës ndaj grave,  nuk janë trajtuar në formë profesionale.

Pjesë e këtij takimi është kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ushtruesja e detyrës së Ministrës së Shëndetësisë, Dafina Gexha, Avokati i Popullit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Qëllimi i takimit është dalja me rekomandime për veprime konkrete të parandalimit të këtyre rasteve.

Nis takimi i Presidentes me krerët e institucioneve

Lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë, rast që ndodhi dy ditë në parë në oborrin e QKUK-së,  Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tanimë ka mbledhur në takim krerët institucionalë.

Në takimin e thirrur nga e para e shtetit, janë duke marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve kompetente.

Pritet që nga ky takim, të dilet me listën e veprimeve konkrete që do të ndërmerren në mënyrë që të parandalohen këto akte makabre.

Kjo mbledhje pason edhe vetëvrasjen pas dy ditë qëndrimi në arrati, të personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vrasjeje, Sokol Halili.

Ndërsa pikërisht sot, në fshatin Llugaxhi të komunës së Lipjanit, iu dha lamtumira e fundit 35-vjeçares Hamide Magashi, gruas shtatzënë që u ekzekutua nga ish bashkëshorti.


MË SHUME NGA Lajme