Nga nesër gjykatat i kthehen punës së plotë, vazhdojnë bojkotin e Qeverisë
Foto: KGJK
Lajme

Nga nesër gjykatat i kthehen punës së plotë, vazhdojnë bojkotin e Qeverisë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit qeveritar të 23 nëntorit për ulje pagash në sistemin e drejtësisë, ka shtyre Këshillin Gjyqësor të Kosovës të mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm.

Në këtë takim, KGJK-ja ka vendosur të ndryshojë  pjesërisht  vendimin e 23 nëntorit,  përmes së cilit kishte vendosur që të reduktohet puna në gjykata.

Me vendimin e sotëm, nga 3 dhjetori, gjykatat do të vazhdojnë punën me kapacitete të plota, por do të vazhdojë pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, deri në një vendim tjetër.

“Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Në fuqi ka mbetur vendimi me të cilin “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryetarët e gjykatave, kërkojnë nga Qeveria që menjëherë të anuloj vendimin e 23 nëntorit për ulje të pagave.

“Në rrethanat e krijuara, Këshilli vlerësoi se gjykatat duhet t’i kthehen punës nga data 3 dhjetor me qëllim që të vazhdojnë ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

KGjK i ka kërkuar qeverisë të respektojë kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar që të mbrojë pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor, prandaj mbetet i pa ndryshuar qëndrimi i KGjK-së dhe kryetarëve të gjykatave me të cilin i kërkohet Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shfuqizoj vendimin Nr. 03/109, dhe njëkohësisht kërkojnë që qeveria të respektoj kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat”, thuhet tutje aty.

KGjK ka kërkuar që në Ligjin për Pagat dhe në Ligjin për Zyrtarët Publik të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vet rregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor, duke i pranuar qëndrimet dhe komentet e KGjK-së. “Njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat”, vazhdon kërkesa e KGJk-së.

Sipas këtij Këshilli, tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit përmes vendimeve dhe gjuhës denigruese të përfaqësuesve të Qeverisë janë të papranueshme. “Prandaj, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë derisa të vazhdojnë tendencat e ekzekutivit për cenimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, shkruan në komunikatën e KGJK-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë pezulloi vendimin e Qeverisë për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, derisa ky organ të marr vendim përfundimtar gjyqësor për këtë çështje, pasi padi për Qeverinë kishte bërë më 29 nëntor Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore ka reaguar kryeministri Albin Kurti. Ai tha se kur është në pyetje gjyqësori për pagat e veta, është shumë efikas për dallim prej lëndëve të shumta që presin për zgjidhje.

 


MË SHUME NGA Lajme