Në Ferizaj prezantohet buxheti i vitit 2023
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Në Ferizaj prezantohet buxheti i vitit 2023

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Takimi i radhës i kryeministrit, Albin Kurti për prezantimin e buxhetit të vitit 2023 ka qenë në Ferizaj. Kreu qeveritar u tha ferizajasve se me buxhetin e vitit që vjen pritet rritje e zhvillim ekonomik, duke e quajtur këtë si buxhetin më gjithëpërfshirës ndonjëherë.

“Në përputhje me Programin Qeverisës 2021-2025, me buxhetin e vitit 2023 do të vazhdojmë mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë. Në kuadër të buxhetit parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale, mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën 1.3 miliard euro. Kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor dhe rritjen e zhvillimit ekonomik”, u tha atyre kryeministri.

Kreu qeveritar që ishte bashkë me dy vartësit e tij, ministrat Murati e Krasniqi me ferizajasit bisedoi rreth ndarjes buxhetore për komunën e tyre ku buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 38 milionë euro.

Ndërkohë, buxheti dedikuar komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë euro, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë euro për vitin 2023.

Projektbuxheti i vitit 2023 kap vlerën prej 3 miliardë e 212 milionë euro.


MË SHUME NGA Lajme