FFK ngushëllon familjen Kajtazi dhe klubin e Trepçës `89
Sport

FFK ngushëllon familjen Kajtazi dhe klubin e Trepçës `89

Uran Krasniqi/RTKLive

Federata e Futbollit e Kosovës ka ngushëlluar familjen Kajtazi dhe klubin futbollistik Trepça’89 me rastin e vdekjes së futbollistit, Erion Kajtazi.

"E nderuar Familje Kajtazi! Të nderuar drejtues dhe staf i FC Trepça’89! Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi. Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike. Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi. Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit. Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djalin tuaj shembullor dhe ju qëndron afër për ta përballur më lehtë këtë humbje të madhe! I përjetshëm kujtimi për Erionin! Me pikëllim të thellë, Agim Ademi, president i FFK-së", ka shkruar FFK në letrën e vet. 

Futbollisti kosovar Erion Kajtazi ka vdekur sot. Rasti ka ndodhur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve.


MË SHUME NGA Sport