Haradinaj kujton ish- senatorin, Bobe Dole në përvjetorin e vdekjes
Foto: Ramush Haradinaj/Facebook
Lajme

Haradinaj kujton ish- senatorin, Bobe Dole në përvjetorin e vdekjes

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar ish- senatorin amerikan, Bob Dole në përvjetorin e tij të vdekjes.

Ish-kryeministri ka shkruar se shqiptarët përgjithësisht, veçmas Kosova, nuk do të ishin këto që janë pa përkrahjen e parezervë e të vazhdueshme të Senatorit amerikan, Bob Dole.

“Rruga e Kosovës deri tek liria identifikohet me Senatorin Dole, i pari që njohu luftën e drejtë dhe të paalternativë të UÇK-së”, ka shkruar në përkujtimin e tij, lideri i AAK-së.

Haradinaj ka thënë se Dole ishte zëri më i spikatur dhe më me ndikim në politikën amerikane që njohu dhe mbrojti kauzat e shqiptarëve. “Nder për mua që arrita ta njoh nga afër e të marrë këshilla nga ai”, ka vijuar Haradinaj.

Duke i shprehur mirënjohjen e përhershme, Haradinaj ka thënë se në këtë përvjetor janë pranë familjes Dole, institucioneve dhe popullit amerikan.

Ish-senatori amerikan vdiq një vit më parë, më 5 dhjetor 2021 në moshën 98 vjeçare.

Për nder të tij në kryeqytet është i vendosur busti që ishte përuruar në vitin 2020 në përvjetorin e 30 të vizitës së një delegacioni amerikan në Kosovë në krye me, Bob Dole.

 


MË SHUME NGA Lajme