Bucci për Samitin: Njohje e rolit që Shqipëria ka luajtur në rajon
ATSH
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci deklaroi sot se, Samiti që do të zhvillohet në nesër në Tiranë është mjaft me vlerë, pasi do të përcjellë sinjale të rëndësishme, për t’i treguar Ballkanit Perëndimor, që e ka vendin në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë në Report Tv, Bucci e cilësoi Samitin si një ngjarje historike, pasi për herë të parë liderët evropianë do të mblidhen në një vend të Ballkanit Perëndimor, pikërisht në Tiranë.
“Ngjarje historike se ndodh për herë të parë, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës. Besoj se Evropa ka dashur të shmangë periudhën e COVID, ku u pa një pasiguri i Evropës kundrejt Ballkanit perëndimor, prandaj është një sinjal i rëndësishme, se Ballkani Perëndimor i përket Europës. Ballkani Perëndimor e ka vendin në Europë, është i rëndësishëm se për herë të parë i kemi në Tiranë liderët, do hapë rrugën drejt integrimit”, u shpreh Bucci.
Përzgjedhja e Tiranës, nuk ishte rastësore. Ambasadori tha se kjo ishte një shenjë mirënjohjeje për rolin që Shqipëria ka luajtur në rajon, por edhe për t’i treguar se përparimi që ka pasur në rrugën drejt integrimit është i vlefshëm.
“Duan që t’i njohin Shqipërisë rolin që ka luajtur në rajon, është një mirënjohje që ndjek vendimin për çeljen e negociatave, si për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, dhe njohje të përparimeve që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve”, tha ai.
Ambasadori Bucci foli edhe për protestën e thirrur nesër nga Sali Berisha në Tiranë.
Fakti që në të njëjtën ditë po zhvillohet samiti dhe protesta, për diplomatin italian është tregues se Shqipëria është një vend evropian. Ai dha një mesazh për opozitën, duke thënë se nesër duhet të zhvillojë një protestë paqësore dhe se duhet të tregohet e matur.
“Të protestosh është kripa e demokracisë dhe nëse opozita e mendon që duhet ta realizojë ka gjithë të drejtën për ta bërë dhe nëse dëshiron të zbres në shesh besoj se ka të drejtën ta bëj, por është e rëndësishme që kjo protestë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe qytetare. Nesër ditë e rëndësishme për Shqipërinë, është festë për të gjithë dhe opozita ka të drejtë të protestojë dhe të jetë e pjekur, të protestojë dhe të përfitoj që vëmendja e botës do jetë këtu. Liderët Evropian janë të mësuar me protesta, s’do i bëj përshtypje”, u shpreh Bucci.























