Von der Leyen deklarohet për integrime, Macron për krizën energjetike
BKT
Fotot: Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Von der Leyen deklarohet për integrime, Macron për krizën energjetike

Jeton Musliu/ Arlinda Sejda/RTK

(Plotësuar) Kanë mbërritur tashmë në Tiranë, liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, drejtuesit e vetë unionit dhe liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi BE mban një samit të tillë për herë të parë në një vend të rajonit.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Schol ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar, dhe u prit nga kryeministri Edi Rama.

Scholz nuk dha ndonjë deklaratë për media. Në Tiranë ka mbërritur edhe Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur para gazetarëve për procesin e antarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi se procesi në vetëvete është i ndryshëm, varësisht nga puna që bëjnë vetë shtetet kandidate.

Ajo tha se ka shtete nga rajoni që këtë proces e kanë përfunduar brenda gjashtë vjetëve, ka të tjera që këtë e kanë bërë brenda dhjetë vjetëve, por ka të tjera që u ka marrë kohë më shumë se dhjetë vjet.

“Kjo varet nga puna që shtete kryejnë”, tha von der Leyen.

Macron kërkon solidaritet për krizën energjetike

Ndërkohë, ka mbërritur në Tiranë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili i është bashkuar Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Në një deklarim të shkurtër për media para fillimit të samitit, Macron theksoi se do të diskutohet në lidhje me krizën energjetike.

Ai tha se duhet të ketë më shumë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

“Jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Samiti është në një moment mjaft të rëndësishëm për ne”, tha Macron.

“Kemi projekte konkrete për të diskutuar. Është e rëndësishme që të ketë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit të kësaj pjese në BE”.

Presidenti francez deklaroi se është e rëndësishme të punohet drejt solidaritetit.

“Do kemi mundësi të përgatisim konkluzionet për energjinë”, tha Macron.

Ndërkohë, në draft-deklaratën që pritet të miratohet në fund të samitit, do të theksohet mirëpritja e nënshkrimit dhe  zbatimit të  marrëveshjes për heqjen e tarifave të romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa reduktohen tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga 1 tetori  2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.

Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj situatës në sektorin e  energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.

Vuçiq zhurmë në Beograd, qetësohet në Tiranë

Pavarësisht zhurmës së bërë dy ditë më parë, e deklarimeve për mospjesmarrje në samit, në Tiranë u shfaq edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha para mediave se ndodhet në samit, sepse siç u shpreh “nëse nuk jeni në tryezë, atëherë jeni në meny”.

“Dhe pastaj të gjithë mezi presin”, tha Vuçiq.

Sipas tij, kjo është një mundësi më e mirë për të mbrojtur interesat e Serbisë.

“Ka pasur edhe disa reagime zyrtare për çështjen e Kosovës dhe për çështjen e dialogut, e kjo ishte arsyeja kryesore. Por në fund pas konsultimeve që bëmë brenda shtetit, vendosëm të vinim sepse do themi çfarë mendojmë, se jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe negociatave me BE-në”.

Vuçiq deklaroi se Serbia mbetët e vendosur në rrugën drejt BE-së.

Marrëveshje BE-BP në Tiranë, nga 1 tetori 2023, ulen tarifat roaming |Video

Është nënshkruar marrëveshja e parë në kuadër të Samitit të liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian, vetë drejtuesve të BE-së dhe liderëve të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në samitin e nivelit më të lartë që mbahet në Tiranë, për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, marrëveshja ka të bëjë me uljen e tarifave në telekomunikimin roaming.

Kjo marrëveshje e nënshkruar nga drejtuesit e kompanive publike të telekomunikimit të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, në prani të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesve të Bashkimit Evropian, do të hyjë në fuqi me 1 tetor 2023.

Marrëveshja e nënshkruar për tarifat roaming, parashikon uljen e tyre për komunikim mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje nga liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin kryeministri Edi Rama (Shqipëri), presidentja Vjosa Osmani (Kosovë), presidenti Milo Gjukanoviq (Mal i Zi), kryeministri Dimitar Kovaçevski (Maqedoni e Veriut), presidenti Aleksandar Vuçiq (Serbi) dhe anëtarja e presidencës boshnjake Zhelka Cvijanoviç (Bosnje e Hercegovinë).

Nga ana e Bashkimit Evropian, të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për roaming ishin presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Komisoneri për Zgjërim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhely si dhe Sekretarja e Këshillit të Përgjithshëm për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.

Presidentja Osmani tregon temat që do paraqet sot në Samitin BE-BP|Video

Para nisjes së Samitit mes liderëve të 27 shteteve të Bashkimit Evropian si edhe drejtuesve të Unionit, bashkë edhe me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që sot po mbahet në Tiranë, presidentja Vjosa Osmani, para mediave të shumta, paraqiti qëndrimin që do të mbajë Kosova në këtë takim të nivelit të lartë.

Presidentja e Republikës u shpreh se sfidat të cilat do të trajtohen në këtë Samit, janë të natyrave të ndryshme,  si nga fusha e sigurisë, me të cilat përballet edhe Ballkani Perëndimor, e deri tek çështjet që kanë të bëjnë me energjinë apo ekonominë.

“Prandaj sot BE-ja synon që këtë përkrahje në raport me Ballkanin Perëndimor, ta konkretizojë”, tha ajo.

Një temë tjetër për të cilën tha se Kosova do të ngris zërin e saj, është edhe procesi i liberalizimit të vizave, çështje për të cilën deklaroi se po ecët përpara.

“Edhe pse sot nuk është fare në agjendë kjo temë, si presidente e Kosoëvs do ta ngris zërin me shpresë që të gjithë liderët, do të deklarohen pro, në mënyrë që pastaj sapo të përfundojë trialogu, që përfshinë edhe qëndrimin e Parlamentit Evropian, të merret vendimi final gjatë presidencës çeke, që nënkupton më së largu deri me 15 dhjetor”.

Ajo tha se këto janë shpresat e Kosovës dhe kërkohet përkrahje ashtu si edhe për aplikimin për antarësim në BE, aplikacion që sipas saj, do të dorëzohet deri në fund të këtij viti.

Duke folur për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në raport me Kosovën dhe liderët e saj, presidentja Osmani tha se fatkeqësisht fqinji verior,  vazhdon të mos marrë mesazhe të qarta nga Bashkimi Evropian, dhe se mentaliteti dhe retorika e tillë, i takojnë shekullit të kaluar.

“Megjithatë, shpresoj dhe sot do të insistoj para liderëve të BE-së që të mos bëjnë një lloj ekuivalence morale, mes agresorit dhe viktimës, sepse një gjë e tillë është gabim historik, madje edhe në raportet Ballkanit Perëndimor, por  edhe në raportet mes Rusisë dhe Ukrainës”.

Ajo tha se një barazim i tillë, jep mesazh të keq, dhe  inkurajon agresorin që të vazhdojë të sulmojë dhe të shkaktojë tensione në tërë rajonin.

“Siç e dini, Serbia nuk shkakton probleme vetëm në Kosovë, por tenton të destabilizojë edhe fqinj të tjerë, në mënyrë që ta destabilizojë tërë Ballkanin Perëndimor”.

E pyetur për situatën në veri të vendit, presidentja Osmani tha se  Kosova është në të drejtën e saj, dhe lufton për rend e ligj në çdo cep të territorit të vet.

“Ky është parim e standard evropian. Pra ne, asnjëherë në historinë tonë, nuk kemi sulmuar asnjë pëllëmbë të ndonjë shteti tjetër, pra jemi në shtëpinë tonë, e mbrojmë shtëpinë tonë, dhe i mbrojmë qytetarët tanë”.

Ajo deklaroi se një veprim i tillë, nuk do të mund të shiqohej nga asnjë njëri racional si kontribuim në përshkallëzim të situatës.

Ndër të tjera, presidentja u ndal edhe tek pengesat që Serbia ia shkakton Kosovës.

“Pavarësisht se çfarë qëndrimi do të mbajë Serbia, Kosova ecën përpara dhe ajo nuk mund ta ndalë ecjen tonë. Edhe sa i përket rrugës sonë evropiane edhe sa i përket anëtarësimit në organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha presidentja e Kosovës, raporton RTKlive.

“Me rëndësi është që ne t’i kryejmë të gjitha reformat, të plotësojmë edhe kriteret për anëtarësim që vijnë, pasi ta dorëzojmë aplikacionin tonë, kurse procesi i dialogut me Serbinë, është i rëndësishëm në kontekstin që sipas të gjitha vendeve të BE-së, sa më parë të përfundojë  ky proces, aq më parë mund të ecim edhe ne si shtete të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”.

Megjithatë, ajo rikujtoi një gjë. “Epiqendra duhet të jetë njohja reciproke, përndryshe asesi nuk mund të kemi paqe e stabilitet afatgjatë”.

Osmani tha se për këtë arsye, me insistimin e Republikës së Kosovës, është vendosur një kornizë kohore, brenda së cilës, do të duhej të përfundonte dialogu.

“Por natyrisht nëse do të përfudojë apo jo, nuk varet nga ne, por ne e kemi atë gatishmëri, atë përkushtim dhe këtë përkushtim po e dëshmojmë në çdo takim në Bruksel, duke dhënë propozimet të cilat kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në rajon”.

Ajo rikujtoi se është Serbia e cila ka qëndrim jashtëzakonisht destruktiv dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në dialog, vetëm sa e bllokon dialogun.

“Pra synimi i tyre është që ta zvarrisin këtë proces pafundësisht sepse kështu synojnë ta bllokojnë edhe Kosovën. Por siç e thash, Kosova  do të ecën përpara, pavarësisht qëndrimeve të tyre destruktive”.

Derisa foli për mbështetjen që Kosova pret nga Shqipëria, Osmani deklaroi se një përkrahje të tillë, është e natyrshme sikurse një vëlla mund t’ia japë një vëllai apo një motre.

“Në mënyrë specifike presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë ku ne akoma nuk kemi zë”, tha ajo, raporton RTKlive.

“Presim që në të gjitha shtetet që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, Shqipëria të jetë po ai zë, që të kërkojë  mbështetje dhe këtë po e bën dhe për këtë dua ta felendëroj”.

Në këtë rast, ajo tha se pjesmarrja e Kosovës në  samite të tilla, e për të cilin tha se është një sukses i jashtëzakonshëm që këtë herë mbahet në Tiranë,  pret që mesazhet të jenë totalisht të koordinuara me Shqipërinë, sa i përket mbrojtjes së interesave të Kosovës.

 “Kjo nënkupton mbrojte të interesave të shqiptarëve kudo që janë”.

Nis Samiti BE-BP në Tiranë, diskutohen katër tema

Në Tiranë mbahet sot  Samiti mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që për herë të parë në histori, zhvillohet në vetë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, rajon ky me një perspektivë të qartë për antarësim në BE.

Katër do të jenë temat kryesore të diskutimit në këtë samit.

-Trajtimi i përbashkët i pasojave të agresionit rus ndaj Ukrainës,

-Intensifikimi i angazhimit politik dhe politika e zgjërimit,

-Përforcimi i sigurisë dhe qëndrueshmëri ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe,

 -Adresimi i sfidave që dalin nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Në fund të samitit, liderët e 27 shteteve të BE-së dhe 6 të Ballkanit Perëndimor, pritet të lëshojnë një deklaratë të përbashkët.

Kështu, sot në Tiranë, zbresin liderët e shteteve anëtare të BE-së por edhe drejtues të unionit.

Ata janë:

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen
Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni
Kancerlari i Austrisë, Karl Nehammer
Kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç
Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades
Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederikse
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas
Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin
Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins
Kryeministri i Lituanisë, Ingrida Simonyte
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel
Kryeministri i Maltës, Robert Abel
Kryeministri i Holandës, Mark Rutt
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Moraëiecki
Kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis
Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.

Bazuar në agjendën e publikuar, duke filluar nga ora 9:30, do të mbërrijnë liderët në vendin ku do të mbahet samiti e që është kulla pranë stadiumit “Air Albania”.

Nga ora 10:00 do të bëhet firmosja e marrëveshjes Roaming.

Mbërritja e liderëve të tjerë do të vazhdojë edhe nga ora 10:15 dhe për të filluar me pas me seancën e parë plenare.

Parashihet edhe foto familjare e liderëve te vendeve pjesëmarrëse në Samit dhe pas saj vazhdimi i seancës së dytë plenare.

Nga ora 14:30 do të jetë konferenca e liderëve duke përfshirë presidentin e Këshillit të Evropës, Charls Michel, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Në këtë samit, kryeministri i Spanjës nuk do të marrë pjesë për arsyeje se vendi që ai përfaqëson e ka Ditën e Kushtetutës në të njëjtën ditë kur është paraparë mbajtja e takimit.


MË SHUME NGA Lajme