Dhunë në protestën e PD-së, Sali Berisha goditet me grusht në fytyrë
BKT
Shqipëri

Dhunë në protestën e PD-së, Sali Berisha goditet me grusht në fytyrë

rtsh.al

Në një ngjarje të paprecedentë, kreu demokrat, i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha është goditur me grusht në fytyrë nga një qytetar në protestën e thirrur nga vetë kryedemokrati. Berisha iu bashkua protestuesve duke nisur marshimin drejt kryeministrisë, por një qytetar i pranishëm në protestë e goditi ish-kryeministrin me grusht në fytyrë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i protestuesve dhe badigardëve të kryedemokratit të cilët kanë ndërhyrë për të mbrojtur Berishën. Protestuesit e tjerë kanë goditur më pas qytetarin që goditi Berishën.

Ndonëse Berisha kishte paralajmëruar se protesta e thirrur prej tij në mbrojtje të vlerave demokratike dhe europiane, protesta ka nisur me dhunë dhe tensione. 

Pas incidentit, Berisha u ngjit në podium ku dukej qartë shenja e goditjes në fytyrë. Në fjalën e tij, ai falënderoi protestuesit që iu bashkuan dhe duke bërë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. 

"Nuk na mposht ne, populli I opozitës, populli I fitores, poshtë Edi Rama, kriminelët. Ne do triumfojmë. Rroftë opozita shqiptare. Nder përjetë popullit protestues”, tha Berisha. Bashkë me të, i pranishëm në protestë është edhe kreu i PL-së, Ilir Meta. 

Protestuesit demokratë me pankarta në duar “Europë na hidh një jelek shpëtimi” dhe me thirrjet “Rama Ik”, nisën pak minuta më parë marshimin nga selia blu drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’.

Kujtojmë se Policia e Shtetit i kërkoi opozitës që protesta të mos zhvillohej në zonën e cila ndodhet brenda perimetrit të Sigurisë, dhe të mbahej te Sheshi Skëndërbej, po Sali Berisha nuk u tërhoq nga vendimi i marrë, duke theksuar se nuk do kishte forcë që të ndalte PD.

Mbajtja e protestës së opozitës në të njëtën ditë me mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor, është konsideruar nga qeveria si destabilizuese dhe kundër Bashkimit Evropian.  Më herët Kreu demokrat e konsideroi protestën si një uragan të paparë. “Sot tirani lebetitet! Uragan i paparë në ora 12:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! #sb”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.

Po ashtu Berisha u ka bërë thirrje dhe studentëve dhe nxënësve që t’i bashkohen protestës së opozitës për të mbrojtur, siç thekson ai, vlerat e tyre europiane.

 


MË SHUME NGA Shqipëri