EULEX i shqetësuar për incidentet e fundit në veri
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

EULEX i shqetësuar për incidentet e fundit në veri

M.Shefkiu/RTKlive

Pas incidenteve të fundit në veri të Kosovës, kur person të maskuar demoluan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, ka reaguar shefi i misionit EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Ky i fundit përmes një postimi në Twitter, ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën atje në koordinim të ngushtë edhe me Policinë e Kosovës e me KFOR-in.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore, të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, NATO-n dhe KFOR-in”, ka shkruar Wigemark në Twitter.

Ndryshe, situata në veriun e Kosovës sot përshkruhet e qetë. Derisa natën e mbrëmshme persona të panjohur kanë sulmuar zyrat e KKZ-ve në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, për të penguar hapjen e këtyre zyrave, pasi më 18 dhjetor, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komune.

Pas sulmeve me bomba ndaj zyrave të KKZ-së, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se me krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, do të ketë më shumë polici të Kosovës atje.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, tha Kurti.

Kryeministri po ashtu ka thënë se do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.

Për sulmet e djeshme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thanë se KKZ-të janë sulmuar nga grupe të organizuara kriminale.   

“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë kriminelët”, ka deklaruar ai.

 


MË SHUME NGA Lajme