KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Arbër Çela
ATSH
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 2 dhjetor vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Arbër Çela, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari relatore, Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Arbër Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punon prej një dekade si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai ushtron gjithashtu funksionin e kryetarit në detyrë.























