Osmani njofton ambasadorin Guerot për rrugëtimin e Kosovës drejtë BE-së
N.Mekolli /RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Bëhet e ditur se temë e diskutimit të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale, koordinimin e Kosovës dhe Francës, si dhe zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka përsëritur angazhimin proaktiv të institucioneve të Republikës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e shtetit.
“Presidentja Osmani dhe ambasadori Guerot diskutuan mbi rezultatet e samitit të 18-të të krerëve të shteteve të Frankofonisë të mbajtur në Gjerba të Tunizisë, ku Kosova u përfaqësua nga Presidentja Osmani. Në këtë drejtim, Presidentja foli mbi diskutimin me Presidentin Emmanuel Macron gjatë punimeve të samitit si mundësi e mirë që të riafirmohet rëndësia e partneritetit në këtë kohë përcaktuese për sigurinë e përbashkët”, njofton zyra për informim e Presidencës.
Bashkëbiseduesit u ndalën tek samiti i liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, me ç’rast, Osmani e informoi ambasadorin Guerot mbi diskutimet e saj me liderët evropian për përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës për ta avancuar rrugëtimin evropian, në veçanti planet e Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE, thuhet në këtë njoftim.