Sveçla: Vuçiq dhe Qeveria serbe i japin mburojë politike grupeve kriminale
Foto: RTKlive
Lajme

Sveçla: Vuçiq dhe Qeveria serbe i japin mburojë politike grupeve kriminale

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(Eplotësuar) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,ka thënë se janë duke i mbledhur të gjitha dëshmitë pas sulmeve të mbrëmshme terroriste në veri të vendit. Kur u pyet nëse ka ndonjë të arrestuar në veri të vendit, ai tha se Policia e Kosovës është duke bërë punë intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Ai ka treguar se po mblidhen dëshmitë nga filmimet e dëshmitarët okularë.

“Tash kemi edhe informacionet e para të cilat janë duke u verifikuar përmes më shumë se një kanali, po mblidhen dëshmitë qoftë filmimet, qoftë dëshmitarët okularë për këto aktivitete dhe këta persona që kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që ne i kemi, disa nga pjesëtarët e këtyre grupeve janë ish pjesëtar të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, por disa prej tyre që kanë dhënë dorëheqje kohët e fundit”, tha ministri Sveçla.

Kur u pyet nëse ka ndonjë garanci se nuk do të përsëriten sulmet e së martës mbrëma në veri, Sveçla tha se Policia e Kosovës, e të gjitha institucionet e sigurisë janë maksimalisht të angazhuar që të parandalohen ato.

“Unë nuk pres diçka të mirë as nga Vuçiq as nga Qeveria e Serbisë të cilët realisht janë mbështetësit, udhëheqësit, financuesit e këtyre grupeve dhe u japin mburojën politike këtyre grupeve kriminale, dhe nuk pres që këta në një moment të vendosin se do t’i lënë këto praktika. Është në dorën e institucioneve të Kosovës që këta kriminelë të luftohen 24/7 dhe atë suksesshëm, dhe kjo është garancia që këta nuk do të përsërisin këso lloj veprash”, shtoi Sveçla.

I pyetur nëse zgjedhjet e planifikuara të mbahen me 18 e 25 dhjetor mund të shtyhen, ministri i Punëve të Brendshme është shprehur i bindur se Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të garantojë gjitha proceset demokratike në Republikën e Kosovës.

“Për më shumë, natyrisht janë institucionet përgjegjëse që marrin vendime. Është presidentja e Republikës së Kosovës, KQZ-ja, e cila përgatitë planin e pastaj i drejtohet presidentes për çfarëdo lloj alternative që ata mund ta propozojnë. Për sa më takon mua , Policia e Kosovës po dëshmohet si një polici e aftë që të kryej detyrat e saj ligjore”, tha ai.

Sveçla: Në sulmet e djeshme në veri ishin të përfshirë ish-policë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur sot për shpërthimet e mbrëmshme në veri të vendit, ku cak i bandave kriminale serbe ishin zyret e Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut. E pjesë e këtyre grupeve kriminale sipas ministrit kanë qenë edhe ish-policë nga komuniteti serb, të cilët javë më parë ofruan dorëheqjet.

"Pas shpalljes së zgjedhjeve nga institucionet e Republikës së Kosovës me kërkesë të KQZ-së, policia dje ka asistuar në KKZ në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Siç jeni të gjithë dëshmitar bandat kriminale kanë penguar fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme demokratike përmes metodave terroriste. Këto grupe të mbështetura e drejtuara nga Serbia dëshmuan edhe njëherë se janë kundër së drejtës fundamentale të qytetarëve të këtyre komunave për të vendosur dhe zgjedhur udhëheqësit e tyre lokal", ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media.

Sipas tij gjatë këtij sulmi janë përdorur shok bomba, granata dore e armë zjarri. Këtë rast, ka thënë Sveçla, Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë speciale e ka cilësuar si sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje në vepra terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

"Policia e Kosovës dhe prokuroria speciale po angazhohen në maksimum që të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë sulm terrorist ndaj institucioneve tona, të sillen para drejtësisë.  Tash kemi edhe të dhënat e para të mbledhura nga terreni qoftë nga policia qoftë nga inteligjenca e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës" , ka shtuar Sveçla.

Sipas tij, me këto akte, "edhe njëherë u dëshmua ajo se çfarë ne kemi thënë në vazhdimësi se konflikti dhe ndarja në këto dy komuna nuk është midis dy etnive por është nga njëra anë qytetarët pa dallim etnie e nga ana tjetër bandat kriminale ekstremiste".

"Kjo gjë ndodhi edhe dje. Pavarësisht kërcënimeve e sirenave të alarmit që përdorën këto organizata qytetarët e Kosovës që jetojnë në ato komuna nuk dolën t’i mbështesin kriminelët", ka nënvizuar ministri.


MË SHUME NGA Lajme