Përfaqësueset e organizatave për të drejtat e grave në takim te Konjufca
Foto: Kuvendi i Kosovës
Lajme

Përfaqësueset e organizatave për të drejtat e grave në takim te Konjufca

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konufca ka pritur sot në takim përfaqësueset e katër organizatave vendore e ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e grave në Kosovë.

Mysafire te shefi i legjislativit ishin drejtuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, përfaqësuesja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi, Luljeta Demolli e Dafina Prekazi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, si dhe drejtuesja e organizatës Kosova-Women 4 Women, Iliriana Jaka Gashi.

Siç bëhet e ditur nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, në këtë takim u diskutua për nevojën e forcimit të rolit të Kuvendit në avancimin e legjislacionit, me fokus në atë për mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave, forcimit të rolit në vendimmarrje etj.

“Përfaqësueset e organizatave të pranishme në takim theksuan rëndësinë e gjithëpërfshirjes në hartimin e kornizës ligjore, me theks të veçantë në atë për mbrojtjen nga dhuna në familje, gjegjësisht dhuna në bazë gjinore, duke përfshirë standardet e përcaktuara me Konventën e Stambolli”, bëhet e ditur në komunikatë.

Ndërkaq, kryeparlamentari ka shprehur mbështetjen e plotë për kërkesat e paraqitura, duke ofruar hapësirën e nevojshme për kontributin e të gjitha grupeve të interesit gjatë fazës së shqyrtimit të legjislacionit në Kuvend.

Gjithashtu në këtë takim, siç bëhet e ditur u theksua nevoja e ndërtimit të një komunikimi institucional të të gjitha niveleve, për adresimin e sfidave me të cilat përballën gratë në Kosovë, përkatësisht për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj tyre. ​


MË SHUME NGA Lajme