Ministrja e Drejtësisë: Zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori
E.Hoti/RTKlive
(E plotësuar) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është paraqitur sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.
"Mbrëmë, në orët e vona, jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë kriminal dhe, për këtë arsye, menjëherë e kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe drejtorin e Policisë", ka thënë ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetentë është njoftuar për zhdukjen e mostrave.
“ Jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë për ADN. Aktualisht, sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se qasje në laboratorin, ku mbaheshin mostrat, kanë pasur tre persona. “Vetëm 3 persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat", ka shtuar ajo.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se kjo situatë është tepër e rëndë dhe i qet hije dyshimi gjithë Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe veprimtarisë së tij.
“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe, nëse ai ndiqet, kuptohet shumë qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim.Por, në këtë rast, ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë, as nuk zmbrapsen nga protokolli dhe ndalesat ligjore dhe as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale”, ka thënë Haxhiu.
Ajo është shprehur e bindur se autorët e këtij akti kriminal do të gjenden, teksa ka thënë se ata që kanë pasur dorë në zhdukjen e këtyre mostrave, kanë për motiv dëmtimin final të rastit Dehari.
“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht. Për këtë nuk ka dyshim dhe asnjë kompromis.Me rëndësi është që, tani për tani, janë njoftuar institucionet përgjegjëse.Nga aspekti administrativ, menjëherë pas kësaj konference do të merren masa në përputhje me përgjegjësitë”, ka nënvizuar Haxhiu.
Ajo ka deklaruar se i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion.“Unë nuk mund t’i them ata për faktin se tashmë të njëjtit i di edhe Policia e edhe Prokuroria.Sa i përket masave, neve na takon që të ndërmarrim masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës, pra Komisioni Disiplinor i Mjekësisë Ligjore, tashmë, ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve. Besoj se sot do të përfundojë puna me suspendimin e tyre”, ka thënë Haxhiu.























