Policia e Kosovës do të shtojë prezencën policore në veri
Lajme

Policia e Kosovës do të shtojë prezencën policore në veri

Fadil Sertolli / RTKlive

Policia e Kosovës ka vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, dhe se ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë.

Përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës, thuhet se prioritet i policisë është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, sipas njoftimit, policia do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

“Ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend.


MË SHUME NGA Lajme