Mungesa e nënkalimeve e mbikalimeve u shkakton telashe këmbësorëve|Video
Lajme

Mungesa e nënkalimeve e mbikalimeve u shkakton telashe këmbësorëve|Video

Donika Sherifi /RTK

Ndërsa shumë këmbësorë rrezikojnë jetën e tyre, por edhe vështirësojnë komunikacionin në mungesë të nënkalimeve edhe mbikalimeve. Megjithatë, edhe tek ato pjesë ku ekzistojnë, ka qytetarë që nuk i shfrytëzojnë. Në Komunën e Prishtinës thonë se kanë propozuar disa zgjidhje.

Idriz Qerkini, duke u kthyer nga spitali, zgjodhi ta kalonte rrugën nëpër një vend të rrezikshëm, pasi nënkalimi iu duk shumë larg. Ai thotë se mosha e shtyrë bëri që ta zgjidhte këtë mënyrë të kalimit të rrugës.

"Shumë është rrezik për fëmijë e për të mëdhenj e për krejt po çka me bë”, tha Minire Fazliu, qytetare.

Ndryshe nga kjo lagje, e cila ka nënkalim, në disa pjesë të Prishtinës nuk ekzistojnë as vendkalimet e këmbësorëve. Në lagjen Veternik, në pjesën e rrugës për Gjilan, këmbësorët duhet të kalojnë katër shirita dhe nuk ekzistojnë as vendkalimet e as nënkalimet.   

"Është shumë rrezik se na jetojmë në këtë lagje dmth punojmë anën e kundërt të albit çdo herë kem telashe për këtë rrezik duhet një mbikalim ose semaforë patjetër, për shkak se na bëjmë këputje ndodh tri herë katër herë gjatë ditës dhe jemi të rrezikuar si na si fëmija”, tha Zylfate Hoxha, qytetare.

Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, thotë se institucionet përgjegjëse nuk janë marrë sa duhet me këto raste.

"Flasim pak për Albi Mall-in aty është problematika jashtëzakonisht e madhe meqenëse ajo lagje veç se është rritur edhe këmbësoret më nuk kanë hapësirë tjetër ku të kalojnë përveç se mbi barriera. Derisa te Spitali Amerikan kjo është pjesë e qytetit në qoftë se nuk ka shenjëzim të vendkalimit këmbësor atëherë, këmbësori ka të drejtë të kaloj çdo hapësirë mbi 100 metra prej vendkalimit kështu që aj duhet me përcaktu edhe nivelin e rrezikshmërisë gjatë kalimit rrethor të rrugës”, tha Deda për RTK.

Ndërsa drejtori i shërbimeve publike, Ilirik Musliu, tha se kanë bërë kërkesa që së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës t’i zgjidhin këto probleme.

"Ne kemi pasur diskutime dhe koordinim për disa prej vendkalimeve të cilat janë më shqetësuese ma problematike në këtë rast sidomos në aspektin e sigurisë andaj besoj që shumë shpejt kemi me mbrri disa prej tyre me u sinjalizuar në aspektin e zebrave disa prej tyre mendojmë që kanë me qenë projekte kapitale disa prej tyre me mbikalime disa me nënkalime", tha Ilirik Musliu, drejtor i shërbimeve publike. 

RTK ka provuar të kontaktojë me zyrtarët e Ministrinë e Infrastrukturës për këtë çështje, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.


MË SHUME NGA Lajme