Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë
Foto: REL
Lajme

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë

REL

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë. Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Paraprakisht, edhe disa media serbe raportuan ngjashëm, por Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e tilla. Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë kanë rritur praninë në veri të Kosovës, duke dërguar "vetëm policë të rendit".

Petkoviq tha se "Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit", të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013.

"Atje lejohet vetëm policia e drejtorisë së veriut. Këtë të gjithë e dinë dhe të gjithë bëhen si të marrë dhe e lejojnë [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti të ndërmarrë veprime të tilla të rrezikshme, që kanë për qëllim varrosjen e Marrëveshjes së Brukselit", tha Petkoviq.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, ku më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale në katër komuna, janë në rritje. Më 6 dhjetor atje ka pasur edhe incidente me armë zjarri, pasi grupe të qytetarëve serbë nuk lejuan Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës të hynte në zyrat e tij.


MË SHUME NGA Lajme