Demhasaj: Për shkak të situatës, zgjedhjet në veri duhet të shtyhen
Kosovare Gashi/ Radio Kosova
Për shkak të situatës se tensionuar në veri ende nuk dihet nëse do të mbahen zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor në katër komunat veriore. Ndërkombëtarët kanë kërkuar shtyrje të këtyre zgjedhjeve, ndërkaq njohës të rrethanave politike kanë mendime të ndryshme për sa i përket mbajtjes së tyre.
Javët e fundit veriu i vendit nuk po gjen qetësi. Njëherë për shkak të targave e tani edhe për shkak të zgjedhjeve në komunat veriore, zgjedhje këto të jashtëzakonshëm që janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar sërish që Kosova ta shtyjë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë për Zërin e Amerikës se SHBA-ja mendon se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit në veri. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar që këto zgjedhje të shtyhet. Ndërkohë, njohës të rrethanave në vend kanë mendime të ndryshme për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve.
Arton Demhasaj, nga Organizata “Çohu”, tha për Radio Kosovën se duke e pasur parasysh situatën aktuale, institucionet e vendit do të duhej t’i shtynin zgjedhjet.
“Në situatë të tillë, të acaruar, atje ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, jeta e policëve dhe zyrtarëve që merren me zgjedhje, prandaj mendoj që sa më shpejt duhet të shtyhen zgjedhjet sepse nuk ka kushte dhe siguri për t’u mbajte zgjedhjet”, vlerëson Demhasaj.
Por njohësi i Kushtetutës, profesori Mazllum Baraliu, megjithëse ka thënë se institucionet kompetente duhet të vlerësojnë mbajtjen e zgjedhjeve, konsideron që zgjedhjet do të duhej të mbaheshin.
“Shteti duhet të dëshmojë aftësinë e tij që në gjithë territorin të mbajë zgjedhje dhe në këtë rast të tregojë aftësi që të mos lejojë që grupe të ndryshme kriminale që vijnë nga jashtë dhe brenda ta shantazhojnë shtetin dhe ta pengojnë në ushtrimin e funksioneve demokratike, shtetërore dhe institucionale”, ka deklaruar Baraliu për Radio Kosovën.
Ndërkohë institucionet e vendit, Presidenca dhe Qeveria kanë thënë se do të presin nga organet kompetente të sigurisë vlerësimin e duhur nëse zgjedhjet do të mbahen apo jo.























