Kurti viziton policin e plagosur në veri: Me të tillë zyrtarë mbahet shteti
B.H. / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar, sot, policin e plagosur të enjten mbrëma në veri të vendit, i cili aktualisht ndodhet për trajtim në QKUK.
Polici i plagosur është Ekrem Neziri, i cili tashmë e ka kryer me sukses operimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen”, ka shkruar Kurti në Facebook, teksa e ka publikuar një foto nga vizita që ia ka bërë policit të plagosur.
Situata në veri të vendit është tensionuar që nga fillimi i kësaj jave, kur nga persona të panjohur janë sulmuar zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore.























