Aktgjykimi për Salih Mustafën më 16 dhjetor
V.Thaçi / RTKlive
Gjykata Speciale ka njoftuar se 16 dhjetori 2022, është caktuar si datë për shpalljen e aktgjykimit lidhur me rastin e Sali Mustafës.
“Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me 10 minuta vonesë ose nga galeria publike në mjediset e gjykatës.
Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për krime luftes në rajonin Gollak të Kosovës.
Akuzat janë:Ndalim arbitrar; Trajtim mizor; Torturë dhe Vrasje e paligjshme.
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 28 shtator 2020, bëri paraqitjen e parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e mëtejshme më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë.























