Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut në Marok
ATSH
Në datat 7-8 dhjetor, në Merakesh, Marok , Asambleja Parlamentare e Mesdheut (PAM) zhvilloi Sesionin Kushtetues të Forumit Parlamentar Ekonomik, i organizuar nga Dhoma e Këshilltarëve të Mbretërisë së Marokut.
Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga një delegacion i përbërë nga Klodiana Spahiu, në cilësinë e Kryetares së delegacionit në PAM dhe deputetët Antoneta Dhima dhe Fation Veizaj.
Pjesëmarrësit ranë dakord se rajoni po përballet me kriza të shumta të përkeqësuara nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës. Lidhje më të forta tregtare dhe investime të përbashkëta janë të nevojshme për të garantuar si energjinë, ashtu edhe sigurinë ushqimore për të gjithë vendet e rajonit.
Ndryshimi i klimës është njohur njëzëri si një sfidë e përbashkët për të cilën nevojitet bashkëpunim më i fortë dhe rritje e investimeve rajonale në elasticitet të klimës dhe tranzicionin e energjisë së ripërtëritshme.
U njoh nevoja për një tranzicion të gjelbër për të arritur objektivat e axhendës së vitit 2030. Mos marrja e veprimeve mbi financat e klimës do të bëhej tani më e shtrenjtë sesa marrja e veprimeve.
U pranua njëzëri se mbështetja e diplomacisë parlamentare shihet si vendimtare për të arritur ndryshime konkrete për të përmirësuar rajonin dhe popujt e tij.
Gjatë fjalës së saj në Forum, Spahiu u shpreh se, ekonomia e Shqipërisë ka pësuar goditje direkte dhe indirekte nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Çmimet e karburantit dhe miellit kanë pësuar rritje pasi vendi importon 47% të grurit vjetor dhe 12% të nevojave të naftës nga Rusia. Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Evropës është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit ka sjellë vështirësi në tregjet evropiane, kryesisht edhe në tregun shqiptar, pasi Evropa po përpiqet të gjejë burime të reja furnizimi në kontinente më të largëta dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostove.
Për sa i përket turizmit u shpreh se vitin e fundit, pesha e turistëve ukrainas në turizmin vendas ishte rritur, ndërkohë theksoi se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, numri i turistëve të ardhur është ulur ndjeshëm.
Spahiu theksoi rëndësinë e Samitit të mbajtur ne Tirane më datën 6 dhjetor 2022, për të cilin theksoi se arritja e marrëveshjeve , si dhe fokusi i diskutimeve në çështje si: agresioni rus në Ukrainë, intensifikimi i politikave sindikale, zbatimi i korsive të gjelbra në Ballkanin Perëndimor, integrimi janë të rëndësishme për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.























