Zyrtare: Osmani cakton zgjedhjet në veri për 23 prill të vitit 2023
BKT
Foto/ Arlinda Sejda/ RTK
Lajme

Zyrtare: Osmani cakton zgjedhjet në veri për 23 prill të vitit 2023

Arlinda Sejda dhe Afet Bela/ RTK

(E plotësuar, ora 16:55) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit. 

Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.

Shtyhen zgjedhjet në veri|Video

(E plotësuar) Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se është marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në veri. Ato do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, derisa caktimi i datës së saktë do të bëhet në konsultim me institucionet e sigurisë.

“Propozimi im sot në këtë takimi ishte për shtyren e zgjedhjeve për kryetar komunash, në këto katër komuna si dhe në kuvendet komunale në dy komuna. Diskutuam rreth datës më të përshtashme kohës që është e nevojshme dhe në fund erdhëm në konkluzionë që koha më e përshtashme është ajo e muajit prill e vitit 2023, kurse data e sakt e muajit prill sonte më së largu nesër do të bëhet publike pra qytetarve dhe insitutucioneve sepse duhet t’i shohim të gjitha festat e tjera që mos të caktohet me një datë që në një mënyrë apo tjeter të kemi ndonjë problem”, tha ajo.

Nis takimi i presidentes Osmani me partitë politike

Ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa pjesë e takimit janë edhe Mimoza Kusari nga Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga PDK, Imri Ahmeti nga LDK, Jetlir Zymberi nga AKR si dhe Nenad Rashiq, Duda Balje dhe Aleksandar Jabllanoviq. E pranishme në takim është edhe Emilia Rexhepi zëvendëskryeministre. Ndërkaq, në këtë takim po mungon AAK-ja, e cila në një prononcim të mëhershëm për RTKlive e ka vlerësuar të panevojshme pjesëmarrjen në këtë takim, teksa ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka caktuar 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe 25 dhjetorin si datë për zgjedhjet e asambleve komunale.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shtyjnë zgjedhjet, për shkak të situatës së tensionuar në veri.

AAK nuk merr pjesë në takim me presidenten, kërkon që zgjedhjet të shtyhen

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar për RTKlive se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidenten Vjosa Osmani. Kjo e fundit, sot në orën 14:30, ka caktuar takimin me përfaqësuesit e partive politike për zgjedhjet në veri të vendit.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, në një përgjigje për RTKlive ka thënë se “qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen”.

“...Sepse kemi vleresuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me presidenten”, ka theksuar Xhemaili.

Ndërkohë, RTKlive ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e partive tjera politike lidhur me ftesën e presidentes për takim, por edhe për zgjedhjet në veri, por ato nuk janë përgjigjur.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe, si shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale.

Presidentja sot pret partitë politike për konsultim për zgjedhjet në veri

Presidentja Vjosa Osmani pret sot në takim në orën 14:30, përfaqësuesit e partive politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Një njoftim të tillë e ka bërë Zyra e Presidencës.

Pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre katër komunave me shumicë serbe në muajin e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka caktuar 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve për kryetar dhe 25 dhjetorin si datë për zgjedhjet e kuvendeve komunale.


MË SHUME NGA Lajme