Rama: BE-ja të thërrasë urgjent tryezën e dialogut
BKT
Lajme

Rama: BE-ja të thërrasë urgjent tryezën e dialogut

J.Musliu/RTKlive

Mes shumë atyre që kanë reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit, është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Duke folur për sulmin me shok bomba nga bandat kriminale, ndaj policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, Rama deklaroi se akte të tilla  janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, dhe se rishfaqja e barrikadave në veri bie ndesh me frymën e dialogut.

“Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”, ka shkruar Rama në Twitter.

 Kryeministri shqiptar është shprehur se  Beogradi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën frymë, shtyrjes së datës së zgjedhjeve në veri nga presidentja Vjosa Osmani.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!”, deklaroi ai.

Pas situatës së krijuar, Rama i bëri thirrje urgjente BE-së që të ftojë palën kosovare dhe atë serbe në takim.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilado qofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.

 


MË SHUME NGA Lajme