Borell reagon për situatën në veri: Bllokadat janë të papranueshme
M.Shefkiu/RTKlive
Për situatën e fundit në Kosovë dhe bllokimin e rrugëve nga serbët lokal në veriun e vendit, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili u ka bërë thirrje palëve për tejkalimin e situatës së tensionuar.
Borrell këtë deklaratë për Kosovën e ka bërë para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, të cilët në mesin e disa temave, do të diskutojnë edhe për situatën në veri të Kosovës.
“Lajmi i fundit dhe shqetësues është Kosova. Ne menduam se kemi përparuar pas marrëveshjes, por sërish serbët e Kosovës i janë përgjigjur me shumë telashe në rrugë, duke bllokuar rrugët pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës. Madje ata kanë hedhur edhe granata mbi zyrtarët policorë. Kjo nuk është e pranueshme. E di që të dy palët duan që situata të depërshkallëzohet, prandaj edhe dua t’u bëj thirrje të dy palëve që ta bëjnë këtë”, deklaroi Borell.
Në lidhje me situatën atje, ai tha se është në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe me presidentin serb, Alekander Vuçiq.
“Kjo thyerje e rendit publik, kjo dhunë duhet të marrë fund dhe duhet t’i kthehemi dialogut e të tejkalohet situata e përplasjes në rrugë, duke krijuar bllokada. Kjo nuk është rruga për të arritur një marrëveshje, as për t’i vazhduar bisedimet, e as për të arritur marrëveshjen për normalizim, për të cilën jemi të përfshirë”, deklaroi Borell, transmeton RTKlive.
Ndryshe, serbët në pjesën veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugët, në shenjë proteste pasi autoritetet e Kosovës arrestuan ish-zyrtarin serb të policisë, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar sulme terroriste në Zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë e Zubin Potok.
Qeveria e Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe zyrat tjera diplomatike kanë bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të barrikadave. Ndërsa presidenti serb, Vuçiq ka thënë se barrikadat hiqen kur të lirohen serbët nga burgu.























