Barrikadat në veri mbesin, mbyllen edhe shkollat
BKT
Foto: RTK
Lajme

Barrikadat në veri mbesin, mbyllen edhe shkollat

M.Shefkiu/RTKlive

Pjesa veriore e Kosovës edhe të hënën vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa raportohet se edhe shkollat fillore dhe ato të mesme janë mbyllur.

Tensionimi erdhi pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka organizuar sulmin me shok-bomba dhe armë zjarri ndaj zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këtë rajon.

Drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq i ka thënë REL-it, se shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Situata në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar gjatë gjithë muajve të fundit, ndërsa nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente të armatosura, ku edhe është plagosur një polic i Kosovës. E po ashtu së fundmi janë kthehu edhe barrikadat, për të cilat ka folur edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq. Ky i fundit thotë se barrikadat hiqen kur të lirohen serbët nga burgu, derisa një ditë më parë kërkoi edhe kthimin e 1 mijë trupave serbë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi heqjen e barrikadave, ndërsa tha se Serbia po kërcënon me luftë dhe kthim të trupave ushtarake në Kosovë,  pas 23 viteve luftë. “Beogradi zyrtar sot po flet e sillet sikurse para 23 vitesh e duke u drejtuar nga një kastë e njëjtë politikanësh, si Vuçiq, ish ministri i propagandës së Millosheviqit dhe Daçiq, ish zëdhënësi i Millosheviqit”, tha Kurti në konferencë për media.

Ai u shpreh se Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dhe e pranoi kapitullimin në Kumanovë në qershor 1999. “Veprimet e Serbisë përbëjnë kërcënime të vazhdueshme. Paqja në Kosovë erdhi pas luftës sonë dhe ndihmës së aleancës, pas një regjimi gjenocidial”.

Për situatën e në veri të Kosovë dhe bllokimin e rrugëve, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili u ka bërë thirrje palëve për tejkalimin e situatës së tensionuar.

“Kjo thyerje e rendit publik, kjo dhunë duhet të marrë fund dhe duhet t’i kthehemi dialogut e të tejkalohet situata e përplasjes në rrugë, duke krijuar bllokada. Kjo nuk është rruga për të arritur një marrëveshje, as për t’i vazhduar bisedimet”, ka deklaruar Borell.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila ka kërkuar uljen e tensionave si dhe ka kritikuar retorikën e Serbisë për situatën e fundit.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm”, ka shkruar ajo në Twitter. Sipas saj edhe sulmet e fundit ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë janë të papranueshme.

“E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE dhe Miroslav Lajcak”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, në Kosovë sot e fillon vizitën dy ditore, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Intensifikimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje gjithpërfshirëse mes të dy shteteve, pritet të shtyhet përpara.

Chollet pritet të shoqërohet nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa përveç në Kosovë, ai do që qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë.

 


MË SHUME NGA Lajme