Haradinaj flet pas takimit me Escobar, tregon për kërkesat amerikane
BKT
Lajme

Haradinaj flet pas takimit me Escobar, tregon për kërkesat amerikane

M.Shefkiu/RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi për takimin që ka zhvilluar me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe me ambasadorin Jeff Hovenier. Kërkesa e emisarit amerikan, sipas Haradinajt, ishte heqja e menjëhershme e barrikadave, kthimi në normalitet i veriut dhe nisja e bisedimeve.

“Sapo përfundova takimin me z. Escobar dhe ambasadorin Hovenier. Mund t’ju them se janë mjaft të fokusuar në zhvillimet në vend, posaçërisht në veri, me kërkesën eksplicite që të ulen tensionet, të hiqen barrikadat dhe të kthehet normaliteti në atë pjesë të vendit”, ka shkruar pas takimit Haradinaj në facebook.

Ky angazhim serioz i SHBA-së, siç thotë ai, do ta shpëtojë situatën dhe do të kthejë vendin te marrëveshja finale për njohje Kosovë- Serbi. “Në emër të AAK-së shpreha falënderimin për ndihmën jetike që po jep SHBA”, shkruan Haradinaj.

Escobar sot pritet të takojë liderët e opozitës

N.Mekolli /RTKlive

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti, sot në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, takon liderët e partive politike.

Mëngjesin e sotëm, Memli Krasniqi kryetar i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, do të priten në takim në Ambasadën Amerikanë të Prishtinë nga Escobar.

Pas daljes nga takimet me liderët e shtetit, Escobar mbrëmë në një deklaratë të shkurtër për media, ka thënë se kjo ishte një vizitë rutinë në Kosovë.

Ndërsa i pyetur për situatën në veri të vendit, Escobar ka thënë së për këtë nuk mund të komentojë.

Kurse Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media, njoftoi se Kurti dhe Escobar diskutuan lidhur me situatën e fundit të krijuar në veri, për dialogun Kosovë-Serbi dhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Escobar në takimet e djeshme është shoqëruar edhe nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Në këtë vizitë ishte planifikuar të jetë edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Megjithatë, ky i fundit, anuloi vizitën në Kosovë e rajon, pasi njoftohet se doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.


MË SHUME NGA Lajme