Qelaj: Ka mangësi në respektimin e të drejtave të njeriut
BKT
Lajme

Qelaj: Ka mangësi në respektimin e të drejtave të njeriut

Intervistoi/ Ardiana Hajzeri-Radio Kosovë

Avokati Naim Qelaj në intervistën dhënë Radio Kosovës ka thënë se Kosovë qytetarët vazhdojnë të përballën me shkelje të të drejtave të njeriut si pasojë e mungesës se zbatimit të ligjeve.

Radio Kosova:  Avokat, për sa i përket respektimit të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, çfarë mund të na thoni se sa respektohen të drejtat e njeriut në vendin tonë?

Naim Qelaj: Ajo çka mund të them unë nga rastet që kemi pasur në hetim si Avokat i Popullit, dhe mbi bazën e gjetjes  nga takimet e shumta që kemi pasur më qytetarë, organizata të shoqërisë civile  dhe akterë të tjerë mund të them që edhe përkundër progresit që vendi ynë ka pasur këto dy dekada, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut nuk është në gjendjen që ne mund të themi që shoqëria jonë nuk po diskriminohet dhe se kemi zbatim të plotë të barazisë para ligjit dhe të drejtat e garantuar nuk po cenohen. Prandaj, edhe këtë vit, në shënim të kësaj ditë me duhet të konstatoj gjendje jo të mirë për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut.

Radio Kosova: Kohëve të fundit kemi raste kur janë publikuar pamje të shumta që janë shkelur të drejtat e njeriut, siç janë rastet e dhunës ndaj grave. Si e vlerësoni, a është duke u bërë mjaftueshëm nga institucionet në lidhje me këto raste?

Naim Qelaj: Fakti që po kemi raste të vrasjeve të grave siç ishin rastet e fundit me pasoja tragjike që preken të gjithë, pastaj fakti që kemi mbi dy mijë raste të dhunës të raportuar në familje brenda një viti, po besoj që janë të dhëna dhe indikatorë të mjaftueshëm që tregojnë që mekanizmat shtetërorë nuk janë duke i përmbushur në tërësi detyrimet që i kanë. Për me tepër, kur këto raste po ndodhin te qytetarët të cilët janë nën mbrojtje nga shteti  me urdhër mbrojtës. E ky është edhe një tregues tjetër se sa të pasigurt janë këta qytetarë, gra e vajza ndaj të cilave ushtrohet dhunë në familje kur raportojnë dhunën në familje dhe sa shumë rrezikojnë jetën e tyre për shkak të dështimit institucional që nuk ua  ofron mbrojtjen e duhur. E a është bërë mjaftueshëm, unë mund të them që ka përpjekje, ka angazhim institucional që vërehet, qoftë në hartimin e politikave, strategjive, por që unë po mendoj që nuk është e mjaftueshme. Zakonisht nuk po funksionon një hallkë e sistemit që duhet të reagojë në mbrojtjen e në këto raste kur po dështon një hallkë, po dështon i gjithë sistemi. Këtu mund të themi që po dështon shteti në përmbushjen e detyrimeve pozitive që i ka. Është shumë më rëndësi që mekanizmat që janë të përcaktuar me ligj të ofrojnë mbrojtje, të jenë të koordinuar që të veprojnë si një sistem i vetëm duke përmbushur secili prej tyre punën e tyre. Sepse vetëm kështu ne kemi mundësi t’i marrim krejt masat që të mos përsëriten këto raste. Në anën tjetër ne duhet të punojmë shumë në edukim dhe vetëdijesim të publikut dhe gjeneratave të reja, që dhuna në familje të dënohet dhe të kemi një solidarizim me viktimën. 

Radio Kosova: Avokat, për sa i përket legjislacionit në fuqi, çfarë mund të na thoni, a zbatohet në nivelin e duhur dhe cilat janë mangësitë e tij?

Avokati i Popullit: Unë konsideroj së ka zbrazëtira ligjore që duhet të plotësohen. Sidomos pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal të  Kosovës, ku dhuna në familje është përcaktuar si vepër e veçantë penale. Dhe në ndryshimet në Kushtetutë me përfshirjen e Konventës se Stambollit si ligj i zbatueshëm në Kosovë, është detyrim edhe patjetër që duhet reflektuar edhe në ndryshime të krejt strukturës se brendshme ligjore për t’i përafruar dispozitat ligjore me këto dy ndryshime që kanë ndodhur viteve të fundit. Në anën tjetër, ne duhet të dimë se sa ligjet po fuqizojnë mekanizma të mirëfilltë të shtyrjes së zbatimit të ligjeve. Ne kemi shumë raste kur ligjet as që fillojnë të zbatohen. Unë dua të përmend dy prej tyre. Njëri është ligji për hallkat elektronike, që ka filluar të zbatohet shumë ditëve të fundit e i cili nuk është zbatuar që nga viti 2015 . Tjetrin që dua të përmend është Ligji për të Drejtat e Fëmijëve, i cili edhe përkundër fakti që është miratuar para tri viteve, ende nuk ka filluar të zbatohet në praktikë. Duhet mekanizmat e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të fuqizohen, që ata që nuk e zbatojnë ligjin të marrin përgjegjësinë e plotë edhe në aspekt të sanksionimit që në të ardhmen ligji të zbatohet dhe në rastet kur nuk zbatohet të dihet kush duhet të japë llogaridhënie.

Radio Kosova: Po sa i përket personave në nevojë si: personat me nevoja të veçanta, të moshuarit dhe qytetarëve nga komuniteti rom, ashakali dhe egjiptian. Çfarë mund të na thoni, cila është gjendja e tyre për sa i përket respektimit të të drejtave?

Avokati i Popullit: Këtë vit i kemi kushtuar shumë rëndësi respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara pasi ju kemi bashkangjitur fushatës globale meqenëse edhe ky vit është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara. Ne, kësaj radhe nuk i kemi trajtuar çështjet që ndërlidhen me personat me aftësi të kufizuara vetëm mbi bazën e ankesave që kemi pranuar nga shoqatat që i përfaqësojnë këta persona por kemi realizuar shumë takime dhe kontakte të drejtpërdrejta me personat me aftësi të kufizuara në shumë lokalitete të Kosovës. Takimet janë realizuar edhe në vendet më rurale dhe më periferike ku jo çdo  herë arrihet t’i kemi informacionet e plota se çfarë po ndodh në vend. Dhe nga këto takime rezulton se vërtet jeta e personave me aftësi të kufizuara është e rëndë. Atyre u kufizohen të drejtat dhe liritë e njeriut duke filluar prej të drejtës me elementare që është e drejta për qasje fizike në hapësirat publike. Këta qytetarë e kanë më problem të dalin nga shtëpitë e tyre që të mund t’i kryejnë nevojat e përditshme si pasojë e mungesës së  pjerrinave, shenjave dhe sinjalizimit të duhur se dhe shumë pengesa të tjera. Në anën tjetër, kemi parë një qasje të reduktuar në arsim dhe nuk është duke u respektuar parimi i gjithëpërshirjës në arsim. Dhe ajo që është me rëndësishme të them në këtë rast ka të bëjë me faktin që jo çdo herë trajtohen me dinjitet nga vetë autoritet publike. Ne kemi arritur të identifikojmë si shumë sfiduese qasjen që e kanë ndaj tyre komisionet mjekësore me rastin e vlerësimit   dhe rivlerësimit të aftësisë së kufizuar. E në anën tjetër kemi identifikuar edhe shumë mangësi   dhe zbrazëtira ligjore që përmes rregullimeve normative kanë kufizime të drejtave të tyre e që janë në kundërshtim me të drejtat e tyre dhe të drejtat kushtetuese.

Radio Kosova: Ndërkohë, rekomandimet që dalin nga institucioni juaj, a merren parasysh nga institucionet përgjegjëse për përmirësimin e gjendjes?

Naim Qelaj: Në këtë drejtim ka pasur një përmirësim të ndjeshëm gjatë vitit 2021, ku është vërejtur një rritje e nivelit të zbatimit të rekomandimeve që ne japim për autoritet publike. Por në përgjithësi, gjendja nuk është e kënaqshme. Ne po provojmë çdo ditë që të punojmë me autoritet që t’u tregojmë se sa i rëndësishëm është zbatimi i rekomandimeve tona. Të jeni të sigurt për diçka, se zbatimi i këtyre rekomandimeve ndikon në vetë performansën e punës të zyrtarëve të institucioneve dhe në anën tjetër ndikon në përmirësimin e gjendjes e të respektimit të të drejtave të njeriut në Kosove në përgjithësi. Duke e rritur edhe mirëqenien, sundimin e ligjit e duke e bërë shtet me demokratik dhe të dinjitetshëm për të jetuar në të. E kisha shfrytëzuar ketë rast si një mesazh dhe kërkesë që të zbatohen rekomandimet tona, pasi kjo ka për të ndikuar dukshëm në përmirësimin e jetës sonë.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme